Kosova e nis me disfatë rrugëtimin në Botërorin e Hendbollit në Spanjë

  • 16 July 2019 - 18:45
Kosova e nis me disfatë rrugëtimin në Botërorin e Hendbollit në Spanjë

Kosova e ka nisur me hapin e gabuar rrugëtimin në Kampionatin Botëror të Hendbollit për grupmoshat U-21, që po zhvillohet në Spanjë. “Dardanët” pësuan disfatë kundër Kroacisë në ndeshjen e parë të këtij turneu.

Ekipi kombëtar i Kosovës U-21 pësoi disfatë me rezultat 23:17 në ndeshjen kundër Kroacisë U-21, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e parë të Grupit C të Botërorit të Hendbollit.

Në këtë ndeshje e mori vëmendjen fakti që, në transmetimin direkt të lojës, organizatorët spanjollë nuk e shfaqën flamurin e Kosovës, përkundër që në ceremoni Kosova ishte përfaqësuar me himn dhe me simbole shtetërore.

Kjo disfatë bën që Kosova t’i humbë pikët e para në Grupin C, ku, përveç Kroacisë, garojnë edhe Portugalia, Brazili, Hungaria dhe Bahreini. Këto katër skuadra do t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre sonte, në orën 19:00 dhe 20:30.

Ekipi i Kosovës që do të mundë ta përmirësojë formën për ndeshjet e ardhshme, kundër Hungarisë më 19 korrik dhe kundër Portugalisë më 19 korrik, për të arritur të renditet në mesin e katër skuadrave të grupit, të cilat kualifikohen në fazën e play-offs.


(Kosova Sot Online)