Ajaxi e bën një tjetër revolucion: kontrata të barabarta për meshkujt dhe femrat

  • 26 July 2019 - 11:47
Ajaxi e bën një tjetër revolucion: kontrata të barabarta për meshkujt dhe femrat

Ajaxi e ka bërë një tjetër revolucion në futbollin botëror duke i barazuar kontratat në mes të meshkujve dhe femrave të ekipit të tij. Tash e tutje, futbollistët dhe futbollistet do t’i kenë të drejtat e barabarta në klub në të gjitha aspektet

Ajaxi e ka në ADN-në e tij revolucionin në botën e futbollit.

E ka bërë këtë në fillim të viteve të 70-ta dhe po provon ta bëjë prapë.

Klubi nga Amsterdami do t’i nivelizojë kontratat dhe do t’i konsiderojë të barabartë punëtorët e tij, në këtë rast edhe futbollistët e futbollistet.

Një revolucion drejt profesionalizmit të futbollit femëror, të cilat do të kenë të drejta të barabarta me meshkujt.

Ajaxi është klubi i parë i madh në botë që e bën këtë gjë.

Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Edwin van der Sar, drejtor gjeneral i Ajaxit dhe Ko Andriessen, drejtor i sindikatës ProProf, do t’i barazojë në aspektin kontraktual futbollistët dhe futbollistet.

Marrëveshja parasheh kushte të njëjta të rrogës minimale, të ditëve të pushimit, të sigurimit sanitar dhe të rrogës së veçantë në rast të lëndimeve të rënda, të cilat kërkojnë shërime afatgjate dhe mbetje jashtë fushës së blertë për një ohë të gjatë.

“Me këtë marrëveshje të arritur mund ta shohim një hap përpara drejt profesionalizimit të futbollit femëror. Shpresoj që edhe klubet tjera të ndjekin shembullin tonë. Deri tash kemi mundur të bënim kontrata maksimumi dyvjeçare, por bashkëpunimi mund të zgjaste edhe vetëm gjysmë sezoni. E me këtë marrëveshje do të ndryshojnë komplet gjerat”, deklaroi për “Eurosport”, Daphne Koster, përgjegjëse e seksionit të femrave të Ajaxit.

(Kosova Sot Online)