Evra rrëfen historinë qesharake për rastin kur kishte ngrënë drekë te shtëpia e Ronaldos
Ish-mbrojtësi anësor i Manchester Unitedit, Patrice Evra, e ka rrëfyer një histori qesharake me ish-bashkëlojtarin e tij, Cristiano Ronaldon, Portugezi e kishte ftuar Evran për drekë, mirëpo ata më shumë ishin stërvitur sesa çfarëdo tjetër.
Të hënën u bënë 16 vjet që nga transferimi i Cristiano Ronaldos si 18-vjeçar në Manchester United nga Sporting Lisbona për 17 milionë funte.
Në gjashtë vjetët e tij në “Teatrin e Ëndrrave”, portugezi e fitoi trofeun e Premierligës tre herë dhe një herë të Ligës së Kampionëve. Ai e fitoi Topin e Artë në vitin 2008, duke e filluar rivalitetin e madh me Lionel Messin e Barcelonës.
Ronaldo pastaj iu bashkua Real Madridit në vitin 2009, mirëpo tifozët e Manchester Unitedit ende e brohorasin emrin e tij në stadium nganjëherë. Ishte etika e punës dhe përkushtimi i Ronaldos që e bënë atë ndër të preferuarit e tifozëve.
Orët e zgjatura në kampin stërvitor dhe dietat strikte e shndërruan atë në “makinën” që tani, edhe si 34-vjeçar, mbetet në futbollin e nivelit më të lartë, në Juventus.
Nëse një histori e përshkruan më së miri fiksimin e Ronaldos për t’u përmirësuar, ajo duhet të jetë historia e treguar nga Patrice Evra, për rastin kur kishte shkuar të hajë drekë në shtëpinë e portugezit.
“Do t’ua jap një këshillë të gjithëve: Kur Cristiano të fton për drekë në shtëpinë e tij, vetëm thuaji jo”, u shpreh francezi në një intervistë të dhënë për Marcan.
“Ai më tha: Patrice, eja pas stërvitjeve. Unë shkova dhe isha me të vërtetë i lodhur. Në tavolinë kishte vetëm sallatë të thjeshtë dhe pak mish pule. Unë mendova: “Në rregull….”. Madje në tavolinë kishte vetëm ujë, jo ndonjë pije tjetër”.
“Ai e përfundoi bukën dhe u ngrit në këmbën dhe filloi të luaj me topin e futbollit dhe më kërkoi që unë t’i bashkohem atij. Unë i thashë: “A mund ta përfundoj bukën fillimisht?” dhe Ronaldo m’u përgjigj: “Jo, eja të luajmë””.
“Filluam të luajmë e pastaj shkuam në pishinë për të notuar. Unë i thashë: “Cristiano, pse kemi ardhur këtu, a jemi këtu për shkak të ndeshjes së nesërme apo vetëm për drekë?” Kështu që kjo është arsyeja pse unë i këshilloj të gjithë të mos shkojnë në shtëpinë e Cristianos”.
(Kosova Sot Online )