Solskjaerit të pamëshirshëm nuk i bën për egot apo moshën e lojtarëve

  • 22 August 2019 - 15:33
Solskjaerit të pamëshirshëm nuk i bën për egot apo moshën e lojtarëve

Trajneri e ka mbushur skuadrën e Manchester Unitedit me lojtarë të rinj dhe lojtarët me përvojë, si Chris Smalling, Phil Jones, Nemanja Matic janë viktimat e filozofisë së tij.

Në dy ndeshjet hapëse të Manchester Unitedit në sezonin e ri të Premierligës, Ole Gunnar Solskjaer e ka dëshmuar se mund të bëhet i pamëshirshëm kur ka nevojë për ta transformuar skuadrën e tij, shkruan The Guardian.

Trajneri është duke e ndërtuar boshtin e skuadrës me lojtarë të rinj, gjë që u dëshmua kundër Chelseat pasi që Manchester Unitedi e pati skuadrën më të re të fundjavës – mesatarisht 24 vjeç e 227 ditë.  Kjo shifër u ul në 24 vjeç e 173 ditë në ndeshjen e së hënës kundër Wolvesit.

 Kjo e dëshmon përkushtimin që Solskjaer e ka për ta ndjekur filozofinë e vet. Aftësia për t’i menaxhuar lojtarët do të testohet sepse vendosja e skuadrës para egove të futbollistëve bën që viktimat të jenë qendërmbrojtësit, Phil Jones e Chris Smalling, dhe mesfushori Nemanja Matic – disa ndër lojtarët me më së shumti përvojë në këtë skuadër.

Solskjaer nuk pati vend as në stol për Jonesin e Smallingun në fitoren me rezultat 4:0 kundër Chelseat apo barazimin 1:1 kundër Wolvesit. Rënia e tyre ndodhi pasi që titullar ishin Victor Lindelof dhe Harry Maguire, ndërsa si rezervë Solskjaer preferoi ta emërojnë 21-vjeçarin Axel Tuanzeben.

Kjo lëvizje e trajnerit vjen vetëm pak kohë pasi që Jones dhe Smallingu i rinovuan kontratat e tyre me klubin anglez sezonin e kaluar. Smallingu nënshkroi kontratë deri në vitin 2022 me opsionin për ta zgjatur atë edhe për një vit. Ndërsa Jones ka kontratë deri në vitin 2023 dhe e ka opsionin për ta zgjatur kontratën edhe për një vit.

Përderisa marrëveshja e re e Smallingut i arrit tre ditë pas Jose Mourinho u shkarkua, në dhjetor të vitit të kaluar, Solskjaer ishte në drejtim të “Djajve të kuq” kur Jones e nënshkroi kontratën e re. Por, ai mund të mos ketë pasur rol të madh as në këtë rast, pasi që ishte duke e kryer vetëm punën e trajnerit të përkohshëm.

Megjithatë, norvegjezi ua ka bërë të qartë vendin e tyre në klub kësaj dysheje, që së bashku i kanë kaluar 17 vjet si lojtarë të Manchester Unitedit. Madje, kur Eric Bailly të kthehet nga lëndimi i tij, dy anglezët do të bien edhe më poshtë në radhitjen për vend në formacion të parë.

Solskjaer e pranoi se ai ka shumë qendërmbrojtës në skuadër dhe se nuk do të mundë t’i mbajë të gjithë të lumtur. Norvegjezi është i gatshëm ta largojë të paktën njërin ndër shtatë qendërmbrojtësit që aktualisht i ka në skuadër.

Matici është një tjetër futbollist që po vuan nga filozofia e Solskjaerit. Ai nuk po gjen vend në skuadër tani që ka filluar sezoni, pasi që trajneri u beson më shumë 23-vjeçarit Andreas Pereira dhe 22-vjeçarit Scott McTominay.

31-vjeçari Mata dhe kapiteni i skuadrës 33-vjeçar, Ashley Young, janë dy lojtarët tjerë që e kanë kuptuar se Solskjaer i preferon lojtarët e rinj me potencial të madh. Prej treshes Mata-Matic-Young, vetëm spanjolli luajti për pak minuta në dy ndeshjet e para të Premierligës.

Si 26-vjeçar, Fredi nuk është veteran i futbollit, mirëpo ai e gjen veten në një situatë të ngjashme: i lënë jashtë skuadrës për të dyja ndeshjet dhe mbetet vetëm një opsion shtesë, pas Paul Pobas, McTominayt, Pereiras dhe Maticit.

Alexis Sanchezi do t’i mbushë 31-vjeçar në dhjetor dhe ai ende nuk ka luajtur dhe Solskjaer do të lirohet nëse kiliani arrin ta kompletojë transferimin në Inter para 2 shtatorit, kur mbyllet afati kalimtar për klubet evropiane.

Pas disfatës 4:0 kundër Evertonit në prill, trajneri tha: “Unë do të jem i suksesshëm këtu dhe ka lojtarë që s’do të jenë pjesë e këtij suksesi”. Kjo deklaratë sugjeroi se shumë lojtarë do të shiten, por një gjë e tillë nuk ndodhi këtë verë. Kjo bëri që 46-vjeçari të kritikohet, pasi që ai konsideroj “i urtë” dhe pasi që nuk kishte bërë atë që kishte thënë se do ta bënte.

Megjithatë, me zgjedhjen e lojtarëve në skuadra të ndeshjes deri më tani, Solskjaer po e mban premtimin që e kishte dhënë në “Goodison Park”. Kur Crystal Palace të arrijë në “Old Trafford” të shtunën, priteni një Manchester Unitedi me lojtarë të rinj në moshë edhe këtë herë. 

(Kosova Sot Online)