Piatek ia siguron tri pikë Milanit, ndeshje pozitive për Rrahmanin dhe Kumbullën

  • 15 September 2019 - 22:50
Piatek ia siguron tri pikë Milanit, ndeshje pozitive për Rrahmanin dhe Kumbullën

Milani ka rrëmbyer pikët e plota në “Marc’Antonio Bentegodi, duke e mposhtur 0-1 Veronën. Për vendasit nga minuta e parë luajtën shqiptarët; Rrahmani dhe Kumbulla.

Milani ka vazhduar me fitore në Serie A.

Të besuarit e Marco Giampaolo kanë marrë tri pikë me shumë vështirësi në udhëtim te Verona, duke triumfuar me rezultat minimal, 0-1.

Kuqezinjtë morën tri pikë falë një penalltie të fituar me ndihmën e VAR në minutën e 68’, të cilën e shndërroi në gol sulmuesi, Krzysztof Piatek. 

Verona luajti me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të ndeshjes, pasi sulmuesi, Mariusz Stepinski u ndëshkua direkt me karton të kuq në minutën e 21-të.

Për Veronën, nga minuta e parë luajtën mbrojtësit shqiptarë; Amir Rrahmani dhe talenti premtues i Shqipërisë, 19-vjeçari Marash Kumbulla.

Ata kanë krijuar një dyshe perfektë në mbrojtje dhe bën paraqitje pozitive kundër shtatë herë kampionëve të Evropës, që u desh të djersiten shumë për të marrë tri pikë në këtë stadium.

Amiri u largua nga loja në minutën e 79’, duke lëshuar vendin për Gennaro Tutino, kurse Kumbulla luajti për 90 minuta.

Pas kësaj fitore, Milan ka shkuar në kuotën e gjashtë pikëve në pozitën e gjashtë, kurse Verona gjendet në pozitën e 10-të me katër pikë.

(Kosova Sot Online)