Në protestë për shkarkimin e trajnerit, lojtarët e Valencias i bojkotojnë mediat
Trajneri i ri i Valencias, Albert Celades, u detyrua të dalë i vetëm para gazetarëve në konferencën për shtyp para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Chelseat, pasi që lojtarët e tij vendosën t’i bojkotojnë mediat shkaku i shkarkimit të trajnerit paraprak.
Klubi spanjoll e shkarkoi Marcelinon nga pozita e trajnerit përkundër që ai arriti t’ia fitojë klubit trofeun e Kupës së Mbretit dhe ia siguroi atyre kualifikimin në Ligën e Kampionëve gjatë sezonit paraprak.
Celades, i cili më parë kishte punuar si ndihmës në Real Madrid, e mori përgjegjësinë e trajnerit të Valencias për ndeshjen e fundjavës kundër Barcelonës, në kuadër të La Ligës, të cilën klubi e humbi me rezultat 5:2.
Para ndeshjes hapëse të së enjtes kundër Chelseat në Stamford Bridge, Celades e pranoi se vendimi i lojtarëve për t’i bojkotuar mediat nuk ishte ideal, mirëpo insistoi se ata janë të përgatitur për ndeshjet e radhës.
“Natyrisht se nuk është një situatë ideale, mirëpo ky është vendimi i lojtarëve, me të vërtetë. Nuk kam shumëçka tjetër për të thënë për këtë. Nuk kam asgjë që mund të bëj. Unë flas me lojtarët çdo ditë”, ka thënë Celades.
“Ata e morën këtë vendim, por ka gjithmonë dialog. Reagimi që e kam pasur unë ka qenë shumë i mirë dhe jam i sigurt se vazhdimisht do të përmirësohet. Shpirti i skuadrës është shumë i mirë. E marta shënon fillimin e garës në Evropë dhe ky është motivimin për lojtarët për ta dhënë më të mirën”.
“Ata duan të luajnë, ta shijojnë atmosferën dhe të jenë në formacionin e parë. Askush nuk dëshiron ta humbë këtë mundësi dhe, për mua, kjo është gjëja më e rëndësishme”.
(Kosova Sot Online)