Man City tregohet i pamëshirshëm kundër Watfordit, e mposht 8:0

  • 21 September 2019 - 18:01
Man City tregohet i pamëshirshëm kundër Watfordit, e mposht 8:0

Manchester City arriti të sigurojë fitore bindëse me rezultat 8:0 në ndeshjen kundër Watfordit, e cila u zhvillua sot në stadiumin “Etihad”, në kuadër të xhiros së gjashtë të sezonit të ri të Premierligës, ku Bernardo Silva shkëlqeu me një het-trik.

Skuadra e Pep Guardiolës u kthye fuqishëm nga disfata e xhiros së kaluar – 3:2 kundër Norwichit – duke arritur t’i marrë lehtësisht tre pikët e xhiros së gjashtë, edhe duke e turpëruar në të njëjtën kohë Watfordin, që javën e kaluar siguroi barazim 2:2 kundër Arsenalit.

“Citizens” treguan se e kanë seriozisht qysh në minutat e parë të ndeshjes, duke shënuar fillimisht në sekondën e 53-të e pastaj sërish në minutën e shtatë. Me het-trik shkëlqeu Bernardo Silva (15’, 49’ dhe 60’), ndërsa shënuan edhe David Silva (1’), Sergio Aguero (7’), Riyad Mahrez (12’), Nicolas Otamendi (18’) dhe Kevin de Bruyne (85’).

Kjo është fitorja e katër për Cityn nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara këtë sezon. Me 13 pikët e fituara deri më tani, kampionët në fuqi mbeten dy pikë prapa Liverpoolit, që ndeshjen e kësaj xhiroje do ta zhvillojë nesër kundër Chelseat.

Me golin e shënuar në këtë ndeshje, Aguero e theu rekordin e Wayne Rooneyt dhe u bë futbollisti i parë që arrin të shënojë në gjashtë ndeshjet e para të një sezoni të ri të Premierligës, ndërsa Bernardo Silva arriti ta shënojë het-trikun e parë në karrierë.

Manchester City do të tentojë ta vazhdojë këtë formë të mirë edhe pas tri ditësh, kur do ta nisë rrugëtimin për ta mbrojtur edhe titullin e kampionit të EFL Cup, me ndeshjen kundër Prestonit.

(Kosova Sot Online)