Raiola reagon ndaj lajmeve se Ibrahimovic do t’i bashkohet Boca Juniorsit

  • 25 September 2019 - 19:07
Raiola reagon ndaj lajmeve se Ibrahimovic do t’i bashkohet Boca Juniorsit

Mino Raiola ka këmbëngulur se asnjëherë nuk e ka ofruar klientin e tij, Zlatan Ibrahimovic, te Boca Juniors, apo te ndonjë klub tjetër, pas thashethemeve se sulmuesi i LA Galaxy do të largohej nga MLS-ja për t’iu bashkuar gjigantit argjentinas.

Të mërkurën herët u raportuar se kryetari i Bocas, Daniel Angelici dhe drejtori sportiv, Nicolas Burdisso, kishin dhënë dritën e gjelbër për blerjen e Ibrahimovicit.

Ish-sulmuesi i Interit, Barcelonës, PSG-së dhe Manchester United për momentin luan në LA Galaxy nën udhëheqjen e ish-trajnerit të Bocas, Guillermo Barros Schelotto.

Boca bëri një transfer të madh këtë verë, kur e bleu Danielle De Rossin e Romës dhe thuhej se Ibrahimovic ishte i radhës në radarin e klubit.

Por, Raiola ka hedhur poshtë thashethemet, duke i quajtur të rreme lajmet për kalimin e klientit të tij në Boca Juniors.

“Kurrë nuk ia kam ofruar Boca Juniorsit, apo ndonjë klubi tjetër, Zlatan Ibrahimovicin. Lajme plotësisht të rreme”, shkroi Raiola në Twitter.

(Kosova Sot Online)