Sanchezi ia siguron fitoren Interit dhe ndëshkohet me të kuq për simulim

  • 28 September 2019 - 20:12
Sanchezi ia siguron fitoren Interit dhe ndëshkohet me të kuq për simulim

Vëmendjen në fitoren 3:1 të Interit kundër Sampdorias e mori Alexis Sanchez, i huazuar për këtë sezon nga Manchester Unitedi, i cili i shënoi dy gola brenda 22 minuta të parë të ndeshjes, para se të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë për simulim.

Interi arriti ta vazhdojë rekordin e përsosur të fitoreve në sezonin e ri të Serisë A edhe në ndeshjen e sotshme kundër Sampdorias, që u zhvillua sot në stadiumin “Luigi Ferraris”, në kuadër të xhiros së gjashtë të sezonit të ri të Serisë A.

Alexis Sanchezi u bë heroi i tifozëve zikaltër në pjesën e parë të ndeshjes, pasi që ai arriti ta zhbllokojë rezultatin në minutën e 20-të, kur goditja e Stefano Sensin iu shënua si gol i tij shkaku se kiliani e preku me shpinë topin para se ta prekte rrjetën.

Sulmuesi i huazuar në Inter e dyfishoi epërsinë në këtë ndeshje vetëm dy minuta më vonë, kur pas një pasimi të mirë nga Sensi, ai e gjeti veten të vetëm me portierin.

Megjithatë, Sanchezi ishte afër të kalojë nga një hero në të personazhin e keq. Pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, rrjedhimisht të kuq, për simulim, Sampdoria u kthye në lojë me golin e shënuar nga Jakub Jankto.

Por, trajneri Antonio Conte nuk ishte i gatshëm ta lejojë presionin e Sampdorias dhe i bëri dy ndryshime në formacion, duke i inkuadruar në lojë Romelu Lukakun dhe Danilo D’Ambrosion.

Këto ndryshime rezultuan në gol vetëm rreth pesë minuta më vonë, kur Roberto Gagliardini e shënoi golin e fundit të ndeshjes.

Me këtë fitore, Interi e merr sërish kreun e Serisë A, me 18 pikë të fituara nga gjashtë ndeshjet e para të zhvilluara, të gjitha fitore, duke e lënë kështu Juventusin dy pikë prapa vetes. 

(Kosova Sot Online)