Challandes tregon pse nuk ftohet Avdijaj, si dhe flet për Rashicën, Shalën, Halimin e Kolollin

  • 07 October 2019 - 13:53
Challandes tregon pse nuk ftohet Avdijaj, si dhe flet për Rashicën, Shalën, Halimin e Kolollin

Beranrd Challandes ka folur gjer e gjatë në konferencën për shtyp para dy ndeshjeve të Kosovës në muajin tetor.

Kosova do të luaj fillimisht më 10 tetor ndeshjen miqësore me Gjibraltarin, ndërsa më 14 takohet me Malin e Zi për ndeshje kualifikuese.

Tekniku zviceran ka folur për lojtarët veç e veç, ku ka filluar nga Donis Avdijaj që ka një kohë që nuk ftohet.

“Sa i përket mungesës së Donis Avdijajt, ne duhet të zgjedhim lojtarë, i zgjedh lojtarët nga disa faktorë. Avdijaj nuk është këtu, është zgjedhje e imja e bazuar në një vendim timin dhe asgjë tjetër”, tha Challandes.

Tutje Challandes ka folur për të rikthyerit nga lëndimi, Milot Rashicën, Herolind Shalën dhe Benjamin Kolollin, si dhe Besar Halimin që nuk është ftuar.

“Rashica e ka rikthyer besimin, ai është shumë i rëndësishëm, ka luajtur 90 minuta mbrëmë. Halimi është i suspenduar, Shala ka një problem të vogël, do ta shohim. Do te mundohemi ta bëjmë zgjedhjen më të mirë. Sa i përket Benjamin Kolollit, jam i lumtur që ai luajti 30 minuta në ndeshjen e fundit për ekipin e tij dhe që tani do ta kem në dispozicion”, vazhdoi tutje zviceran.

Krejt në fund trajneri i Kosovës tha disa fjalë edhe për Bersant Celinën që po luan rregullisht te Swansea.

“Celina e kishte një javë të vështirë dhe të lodhshme, duhet të shohim”, ka thënë Challandes. 

(Kosova Sot Online)