Zënkë mes dy kundërshtarëve të Kosovës para ndeshjeve vendimtare në kualifikime

  • 10 October 2019 - 16:19
Zënkë mes dy kundërshtarëve të Kosovës para ndeshjeve vendimtare në kualifikime

Presidenti i Federatës së Futbollit të Bullgarisë, Borislav Mihaylov, e ka kritikuar Anglisë përsëri, pasi kjo e fundit ngriti shqetësime për racizëm të mundshëm në ndeshjen kualifikuese mes tyre të hënën.

Anglia dhe Bullgaria janë pjesë e Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, në të cilin bën pjesë edhe Kosova, dhe zënka e tyre vjen në një kohë vendimtare për fatin e këtij grupi.

Mihaylov, i cili i shkroi UEFA-s muajin e kaluar pas trajneri i Anglisë Gareth Southgate shprehu frikën se mund të ketë racizëm në ndeshjen e së hënës në Sofje, ua ka dërguar një letër të hapur sekretarit të përgjithshëm, Theodore Theodoridis dhe zyrtarëve të tjerë të organit qeverisës së futbollit evropian.

Në këtë letër, numri një i federatës bullgare pretendon se komentet e lojtarëve të Anglisë se ata janë të gatshëm të largohen nga fusha nëse përballen me racizëm, janë fyerje për Bullgarinë e cila po përpiqet ta luftojë këtë problem.

Kjo ndeshje do të luhet pjesërisht prapa dyerve të mbyllura, pasi UEFA e ndëshkoi Bullgarinë për racizmin e tifozëve të saj gjatë ndeshjes kundër Republikës së Çekisë dhe Kosovës në fillim të këtij viti.

Por Mihaylov tha: “Ne në Federatën e Futbollit të Bullgarisë ndiejmë se ky fiksim për incidente të mundshme… nuk është i drejtë ndaj përkrahësve të Bullgarisë, publikut të përgjithshëm dhe ndaj përpjekjeve ekstreme dhe masave që Federata bullgare i ka marrë për ta siguruar një ambient të sigurt dhe të drejtë për spektakël të vërtetë futbolli”.

Anglia është lidere e Grupit A me 12 pikë nga katër ndeshje, e ndjekur nga Republika e Çekisë me 9 pikë dhe Kosova me 8, me këto të fundit që i kanë zhvilluar nga pesë ndeshje.

Bullgaria, ndërkohë, është e fundit me 2 pikë dhe pa fitore. 


(Kosova Sot Online)