Reagon Solskjaer pas takimit mes Pogbas dhe Zidane

  • 18 October 2019 - 11:50
Reagon Solskjaer pas takimit mes Pogbas dhe Zidane

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, insiston se ai nuk e sheh si problematik takimin mes mesfushorit të tij Paul Pogbas dhe trajnerit të Real Madridit, Zinedine Zidane, në Dubai.

Trajneri francez Zinedine Zidane është në qytetin arab pasi që po merr pjesë në një konferencë për inteligjencën artificiale, përderisa bashkëkombësi i tij Paul Pogba ka udhëtuar atje për ta vazhduar procesin rikuperues nga lëndimi i kyçit të këmbës.

E përditshmja britanike, The Daily Mirror, e publikoi një fotografi të dyshesh Zidane-Pogba duke e bërë një bisedë, përderisa po qëndronin afër një pishine. Kjo fotografi i ka nxitur spekulimet për transferimin e mundshëm të Pogbas te “Los Blancos” në të ardhmen.

“Pauli është pjesë e planit tonë për të ardhmen e klubit. Ai ka qenë duke luajtur edhe kur ka pasur dhimbje. Ai është kritikuar nga çdo anë, por pastaj u kthye kundër Rochdale dhe Arsenalit, edhe pse kishte mundur të mos luante”, tha Solskjaer.

“Ai dëshironte të luante, dëshironte të kthehej sa më shpejt edhe pse ishte e dhimbshme. Ai i ka bërë edhe disa teste mjekësore, është duke i rikuperuar dhe i ka pasur disa ditë pushim – ka punuar, mirëpo jo bashkë me skuadrën”.

“Pastaj del një fotografi. Kur je futbollist i Manchester Unitedit, fotografitë dhe spekulimet e tilla ndodhin. Por, unë s’e kam asnjë problem me këtë gjë, aspak”.

Zidane kishte tentuar ta transferojë Pogban gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo Manchester Unitedi i rezistoi interesimit të madrilenëve për mesfushorin, duke insistuar se 26-vjeçari nuk është në shitje.

Agjenti kontrovers i Pogbas, Mino Raiola, e bëri të ditur dëshirën e Pogbas për t’u larguar nga Manchester Unitedi, ndërsa edhe vetë futbollisti e pranoi se mund të ketë ardhur koha që ai ta provojë një sfidë të re në karrierë.

Mirëpo, Manchester Unitedi e mbajti qëndrimin e prerë se s’do t’ia shesë Pogbas as Real Madridin a as ndonjë klubi tjetër, pasi që francezi i ka edhe dy vjet në kontratën e tij, përderisa klubi mund t’ia zgjasë kontratën edhe për një vit shtesë. 

(Kosova Sot  Online)