Pas Feronikelit dhe Ballkanit reagon edhe Llapi, kërcënon me tërheqje

  • 22 October 2019 - 23:15
Pas Feronikelit dhe Ballkanit reagon edhe Llapi, kërcënon me tërheqje

Presidenti i Llapit, Beqir Batatina, u ka bërë jehonë akuzave të homologëve të tij te Feronikeli dhe Ballkani ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjyqtarëve të Superligës, duke kërcënuar se do ta tërheqë skuadrën llapjane nga garat.

Akuzat dhe kritikat kundër gjyqtarëve të Superligës dhe shtëpisë së futbollit kosovar, FFK-së, nisen sot me presidentin e kampionit në fuqi, Feronikeli, Naser Ramajt, i cili pretendoi se klubi i tij po dëmtohet.

Nuk vonoi shumë dhe atij iu bashkua presidenti i klubit nga Suhareka, Ballkanit, Arsim Kabashi, i cili zbuloi planet e shefave të klubeve elitare në vend për t’u bashkuar kundër FFK-së dhe gjyqtarëve.

Reagimi i Batatinës, megjithatë, është më i ashpër se i homologëve të tij, pasi shefi i klubit nga Llapi kërcënon se do ta tërheqë klubin nga Superliga nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Reagimi i plotë i Beqir Batatinës të Llapit:

Duke parë që nga fillimi i kampionatit persona të caktuar janë vendosur në pozicione për qëllime të caktura ku janë pikërisht në kundërshtim me rregulloren e FFK-së ku një person nga një regjion i caktur të jetë komisioner i delegimit të gjyqtarëve ku nga ai qytet kemi dy klube ne Superligë.

E kam vërejtur që në shumë ndeshje jemi dëmtuar si skuadër ku edhe pse trajneri i skuadrës tonë është ankuar, jam munduar si President i këtij klubi të madh të jem i kujdesshëm dhe mos të ngutemi por duke e parë se po vazhdon natyra negative e personave me qellime te caktura, me ç’rast jemi dëmtuar si me rastin e dënimit me dy ndeshje pa shikues me fajin e atyre që me qëllime të caktura po i delegojnë persona me na dëmtuar dhe me i humb investimet tona milonëshe si në rastin tim që së bashku me vëllezërit e mi në gurbet me saktrifikoj për rininë dhe futbollin e Kosovës.

Andaj edhe plotësisht e përkrahi Presidentin e Feronikelit, z. Naser Ramaj dhe të Ballkanit, z. Arsim Kabashi sepse ne kështu më nuk mundemi që me mjetet tona të luajnë persona të pa ndërgjegjshëm e që shiten me para të cilët nuk i duhen futbollit dhe neve si donatorë.

Kam projekte milonëshe për futbollin llapjan së bashku me vëllezërit e mi por nëse vazhdon kështu FFK-ja, ne jemi të detyruar të terhiqemi nga futbolli kosovar sepse ne po duam drejtësi e korrektësi dhe jo armiqësi mes vete andaj nuk po dua armiq por miq ndërsa miqtë po na i humbin njerëzit për qëllime te caktura të cilat tashmë mirë po dihen.

Unë si President i KF “Llapi 1932” kërkoj të jemi unik dhe të mos lejojmë që persona të caktuar ta prishin futbollin dhe ne mos të ikim me fajin e disa personave që rinia jonë mos të ketë zhvillim dhe avancim.

(Kosova Sot Online)