Muriqi zbulon ofertën që e kishte nga Turqia, por në fund e zgjodhi Kosovën
Vedat Muriqi e ka pranuar se në të kaluarën ka mundur t’i bashkohej ekipit U-21 në Turqisë. Por, në fund sulmuesi prizrenas mori ofertë nga Përfaqësuesja A e Kosovës dhe e pranoi atë, duke hequr dorë nga turqit
Vedat Muriqi e pranon se vite më parë ka mundur ta vishte fanellën e Kombëtares së Turqisë.
Sulmuesi prizrenas kishte marrë ofertë në atë kohë për të luajtur për ekipin U-21 të Turqisë, pasi atë e kishte ftuar trajneri i atëhershëm i atij ekipi, Abdullah Ercan.
Por, në fund sulmuesi i Fenerbahçes kishte marrë ofertë nga Përfaqësuesja A e Kosovës, të cilën natyrisht se nuk mund ta refuzonte.
“Unë isha duke u përcjellë nga Turqia, por jo nga ekipi A. Bëhet fjalë për ekipin U-21 të Turqisë, pasi mua më donte trajneri Abdullah Ercan. Dokumentacioni ishte duke u procesuar, por më pas më erdhi oferta nga ekipi përfaqësues A i Kosovës dhe shkova për të luajtur për vendin tim”, ka thënë Muriqi për mediat turke.
Ditë më parë mediat e Turqisë shkruan se Muriqi ishte në opsion të Turqisë para se ta zgjidhte Kosovën.
Natyrisht, 25 vjeçari e bëri zgjedhjen e duhur pasi tash është bërë yll i “Dardanëve”.
Ai realizoi tre gola për Kosovën vetëm në periudhën shtator-tetor, kundër Republikës Çeke, Anglisë dhe Malit të Zi.
Kosova i ka sytë kah ai edhe për ndeshjet e nëntorit ndaj çekëve dhe anglezëve, në duelet vendimtare për kualifikim në Euro 2020.
(Kosova Sot Online)