Krejt bota po flet për Kosovën për mikpritjen që ia bëri Anglisë

  • 18 November 2019 - 13:20
Krejt bota po flet për Kosovën për mikpritjen që ia bëri Anglisë

Mediat e huaja i kanë dhënë jehonë dhe hapësirë të madhe Kosovës këto ditë, falë mikpritjes së ngrohtë që ia servoi ekipit kombëtar të Anglisë, por edhe tifozëve anglezë. Vendi ynë u mor si shembull se si duhet të pritet mysafiri.

Kosova e ka kaluar provimin me pritjen madhështore që ia bëri Anglisë.

Anglezët u ndien si në shtëpinë e tyre, gjatë qëndrimit dyditor në vendin tonë.

Tifozët anglezë u ndien të mrekulluar dhe u befasuan me mikpritjen e kosovarëve, të cilët i falënderuan përzemërsisht.

Përmes rrjeteve sociale, ata ua bënë me dije të gjithëve se mendimi për Kosovën ishte i gabueshëm dhe me këtë rast, vendi ynë gradualisht po e ndërron imazhin e keq që e ka nëpër botë.

Futbollistët e Anglisë u pritën si heronj në Kosovë, ku natyrisht nuk pati vend për racizëm.

Përkundrazi, “Tre Luanët” mbetën gojëhapur nga ngrohtësia që e gjetën në vendin tonë.

E jehonë të madhe kësaj eksperience të anglezëve u bënë edhe mediat më të mëdha botërore, një pjesë e mirë e të cilave kishin dërguar ekipe në Kosovë.

Këto media i dhanë lavde Kosovës për gjithçka që ndodhi këto ditë, para, gjatë dhe pas ndeshjes ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës dhe Anglisë.

Madje, “Deutche Welle” shkroi se përballja në mes të Kosovës dhe Anglisë ishte më shumë se një ndeshje futbolli.

“20 vjet nga lufta e fundit në Kosovë, Anglia fitoi 4:0 në kualifikimet e Euro 2020 në Prishtinë. Ndeshja e futbollit ishte mjaft miqësore, por faturimi i saj mbulon ende problemet me të cilat përballet shteti i ri i Ballkanit”, ka shkruar mediumi gjerman.

Mediat britanike ndërkohë, që njihet prej më të fortave në botë, e kanë përmendur vazhdimisht mikpritjen që po iu bëhet anglezëve, por edhe çmimet e lira të produkteve.

Mediumet si BBC, The Sun, Daily Mail etj., këto ditë i kishin sytë kah Kosova.

Kosova e humbi në aspektin sportiv, 0:4, por fitoi shumë në aspektin shtetëror pasi imazhi i saj në sytë e botës ka nisur të përmirësohet përmes ngjarjeve të tilla sportive.

(Kosova Sot Online)