Kluivert: De Ligti është penduar që e zgjodhi Juventusin e jo Barcelonën

  • 19 November 2019 - 11:45
Kluivert: De Ligti është penduar që e zgjodhi Juventusin e jo Barcelonën

Patrick Kluivert pretendon se qendërmbrojtësi holandez Matthijs de Ligt është penduar që vendosi të transferohet në Juventus e jo në Barcelonë gjatë afatit kalimtar të verës.

Barcelona ishte ndër klubet favorite për ta transferuar Matthijs de Ligtin nga Ajaxi gjatë verës, mirëpo mbrojtësi në fund vendosi ta vazhdojë karrierën e tij në Serie A me Juventusin.

Megjithatë, Kluivert – i cili tani e mban postin e drejtorit të akademisë në Camp Nou – beson se bashkëkombësi i tij tani është penduar që s’vendosi t’i bashkohej Barcelonës nga Ajaxi.

“Unë personalisht nuk tentova ta bindë atë t’i bashkohet Barcelonës”, tha ish-sulmuesi i Milanit, në një intervistë të dhënë për mediumin spanjoll, Mundo Deportivo.

“Unë vetëm ia tregova anën pozitive e Barcelonës, si klub dhe si qytet”.

“Natyrisht, ne po flasim për një mbrojtës të mrekullueshëm dhe në fund ai e mori zgjedhjen e tij. Mendoj se ai është penduar paksa tani, por kjo është mënyra se si shkojnë gjërat”.

“Në jetë, ti bën zgjedhje, nganjëherë të mira e nganjëherë të këqija. Ti duhet të mësosh nga gabimet e tua”.

De Ligti fillimisht e pati të vështirë të zë vend në skuadrën e Juventusit, pasi që disa gabime të tij bënë që ai të mbetet prapa Leonardo Bonuccit dhe Giorgio Chiellinit në radhën për dy pozitat e qendërmbrojtësve.

Por, që nga lëndimi i Chiellinit, De Ligti ka filluar të përshtatet me skuadrën bardhekaltër dhe e ka fituar dashurinë e tifozëve të “Zonjës së Vjetër”. 

(Kosova Sot Online)