Munishi ndëshkohet me karton të kuq, ulet në fushë t’i lidhë tojat dhe e dërgon një puthje

  • 22 November 2019 - 15:41
Munishi ndëshkohet me karton të kuq, ulet në fushë t’i lidhë tojat dhe e dërgon një puthje

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, e ka përjetuar edhe një herë tjetër këtë sezon ndjenjën e të ndëshkuarit me karton të kuq gjatë ndeshjes së skuadrës së tij. Megjithatë, reagimi i tij sot e bëri këtë rast më unik.

Ballkani e siguroi një fitore të madhe në ndeshjen e sotshme kundër Gjilanit, e cila përfundoi me rezultat 2:1 në stadiumin e qytetit në Suharekë, në kuadër të xhiros së 16-të të këtij sezoni të Ipko Superligës së Kosovës.

Në minutën e 85-të të ndeshjes, trajneri i Ballkanit Ismet Munishi u ndëshkua me karton të kuq, për shkak të protestimeve të cilat sipas gjyqtarit Genc Nuza ishin të tepërta.

Përderisa po dilte nga fusha, Munishi i duartrokiti tifozët e Ballkanit dhe pastaj u ul në fushë dhe filloi t’i lidhë tojat e këpucëve të tij, veprim ky që u prit me duartrokitje nga tifozët vendas.

Pasi u ngrit në këmbë, ai e dërgoi edhe një puthje me dorë në drejtim të lojtarëve, trajnerëve e gjyqtarëve dhe pastaj shkoi drejt tunelit.

Tri pikët e kësaj ndeshjeje patën vlerë të madhe, pasi që Ballkani tani e merr kreun e Superligës me 34 pikë të fituara nga 16 ndeshjet e para – dhjetë fitore, katër barazime dhe dy humbje.

Në anën tjetër, Gjilani bie në pozitën e dytë në tabelën e Ipko Superligës, me 31 pikë të grumbulluara nga 16 xhirot e deritanishme – dhjetë fitore, një barazim dhe pesë humbje. Këtë pozitë Gjilanit mund t’i rrëmbejë Drita këtë fundjavë, nëse e fiton ndeshjen e saj. 

(Kosova Sot Online)