Zbulohet arsyeja e përçarjes mes ish-trajnerit dhe trajnerit të Spanjës

  • 23 November 2019 - 10:33
Zbulohet arsyeja e përçarjes mes ish-trajnerit dhe trajnerit të Spanjës

Përkundër spekulimeve të shumta të publikuara gjatë ditëve të fundit, e përditshmja spanjolle Marca raporton se përçarja mes Roberto Morenos dhe Luis Enriques nuk ndodhi për shkaqe personale.

Roberto Moreno kishte qenë ndihmëstrajner i Luis Enriques në postin e trajnerit të Kombëtares së Spanjës, por e mori rolin e trajnerit kur Enrique dha dorëheqje. Së fundi, Federata spanjolle e shkarkoi Morenon dhe e ktheu Enriquen, që tani s’e do më Morenon si ndihmës trajner.

Sipas Marcas dhe RAC1 marrëdhënia mes dy trajnerëve është dëmtuar për shkak sportive, e jo personale, pasi që ata të dy nuk pajtohen për disa aspekte të menaxhimit të ekipit kombëtar të Spanjës.

Dy mediumet e mëdha sportive raportojnë se gjithçka ndodhi shkaku i disa vendime teknike të Morenos, përfshirë këtu listën e lojtarëve të zgjedhur në Kombëtaren e Spanjës dhe s’ka të bëjë asgjë me vdekjen e vajzës së Luis Enriques.

Moreno thuhet se ishte ndierë i shfrytëzuar nga Federata e Futbollit e Spanjës dhe nga Luis Enrique, pasi që fillimisht iu besua roli i trajnerit e pastaj u shkarkua menjëherë kur Enrique ishte i gatshëm të kthehet.

Përderisa ai e ka mohuar se marrëdhënia e tij me ish-trajnerin e Barcelonës, Enriquen, është e keqe – Moreno edhe e ka shprehur irritimin e tij me mënyrën se si Federata spanjolle e ka menaxhuar këtë situatë. 

(Kosova Sot Online)