Igli Tare: I gatshëm të bëj gjithçka për t’u ndihmuar bashkëkombësve të mi

  • 26 November 2019 - 13:19
Igli Tare: I gatshëm të bëj gjithçka për t’u ndihmuar bashkëkombësve të mi

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare ka reaguar pas tërmetit të fuqishëm që ka goditur sot Shqipërinë, duke thënë se do të bëjë gjithçka të mundur për t’i ndihmuar bashkëkombësit e tij.

13 persona kanë humbur jetën dhe rreth 600 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë. Sipas Emergjencave Civile, një person humbi jetën pasi u hodh nga banesa nga paniku, ndërsa dy të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat e një pallati në Thumanë. Po ashtu është nxjerrë një tjetër trup i pajetë nga rrënojat e një shtese të një pallati në Durrës.

Në mesin e personave të shumtë nga bota e sportit që kanë reaguar pas këtyre lajmeve është edhe drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare.

“Është një tragjedi që më ka prekur shumë mua dhe familjen time, tragjedi e madhe”, deklaroi Tare për mediat italiane.

“Duket se numri i viktimave është duke shkuar në rritje, unë uroj me gjithë zemër të jetë e kundërta”, u shpreh ai.

Tare po ashtu ka shfaqur gatishmëri për të ofruar ndihmë.

“Do të bëjë gjithçka që është e mundur për ta ndihmuar popullin tim”, theksoi ish sulmuesi i Kombëtares shqiptare. 

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.4 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.

Deri tani raportohet për disa pallate të shembura në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën rrënoja, ndërsa qytetarët dhe ekipet e shpëtimit po tentojnë të ndihmojnë banorët e bllokuar. 

(Kosova Sot Online)