Wilder sqaron pse s’do të ketë meç kundër Joshuas

  • 10 December 2019 - 15:30
Wilder sqaron pse s’do të ketë meç kundër Joshuas

Deontay Wilder ua ka bërë të qartë tifozëve se ata nuk duhet ta presin një meç mes tij dhe Anthony Joshuas në ringun e boksit, duke thënë se Joshua do t’i shmanget meçit kundër tij në çdo mënyrë të mundshme.

Anthony Joshua e rifitoi titujt e tij IBF, WBO, WBA dhe IBO, në kategorinë e peshave të rënda në boks, me fitoren e së shtunës kundër Andy Ruiz Jr. I vetmi titull që i mungon atij në kategorinë e peshave të rënda është ai i WBC, të cilin e mban Deontay Wilder.

Joshua – Wilder e ka potencialin të jetë njëra ndër meçet më të mëdha në histori të boksit, mirëpo boksieri i pamposhtur amerikan nuk mendon se ky meç unifikimi i kampionit do të ndodhë, pasi që thotë se Joshua po tenton t’i shmanget atij në të gjitha mënyrat.

“Nuk mendoj se do ta shohim ndonjëherë një meç unifikimi. Epo, s’do ta shohim kurrë dhe unë nuk dua që njerëzit t’ia rrisin shpresat vetes sepse nuk do të ndodhë kurrë”, ka thënë Wilder.

“Ata s’mund të thonin asgjë për një meç kundër meje. Ata s’mund të ma përmendnin emrin, por flisnin vetëm për tjerët përreth meje”.

“Unë jam shumë i rrezikshëm, e keni parë çfarë bëj në ring. Unë nuk luaj. Dhe ata e dinë se nëse Ruizi arrin t’ia bëjë Joshuas ashtu, imagjinojeni çfarë mund t’i bëj unë. Për këtë arsye ata rrinë larg nga unë”. 

(Kosova Sot Online)