Flamurtari prezanton trajnerin Bylbyl Sokoli, “Profa” flet për objektivat me Kuqezinjtë

  • 13 December 2019 - 15:15
Flamurtari prezanton trajnerin Bylbyl Sokoli, “Profa” flet për objektivat me Kuqezinjtë

Bylbyl Sokoli do t’i drejtojë Kuqezinjtë deri në fund të sezonit, me synim që t’i shpëtojë ata nga rënia prej IPKO Superligës së Kosovës në futboll.

Flamurtari e ka prezantuar sot trajnerin e ri, Bylbyl Sokoli.

“Profa” arriti marrëveshje me ekipin Kuqezi, të cilin do ta udhëheqë në gjashtë muajt e ardhshëm.

Trajneri i njohur kosovar, në konferencë për shtyp ka folur për objektivat që i ka me kryeqytetasit, të cilët gjenden në pozitë të vështirë në tabelës.

“Pas bisedave që kam pasur me presidentin e klubit, me udhëheqësit e klubit, me drejtorin Arbnor Morinën, me drejtorin Agim Hasanin, kemi biseduar dhe kemi arritur një marrëveshje, me një qëllim që të gjithë me dhanë maksimumin në klub, që Flamurtari në këtë sezon ta sigurojë ekzistencën dhe pikësynimi im dhe unë besoj, edhe i gjithë tjerëve është ky. Prandaj do të bëjmë përpjekje që këtë edicion të prezantohemi siç është më së miri”, është shprehur në fillim ish-trajneri i Prishtinës.

Ai ka zbuluar se synimi kryesor i tij është që ta shpëtojë Flamurtarin, pra ta sigurojë ekzistencën në elitën e futbollit kosovar.

“Unë mendoj se në saje të potencialit që ka klubi në të gjitha aspektet, të futbollistëve edhe të udhëheqësisë, kam folur me njerëz, para se gjithash, presidenti ka dhënë maksimumin për këtë klub, me Arbnorin i cili i njeh problemet, njihem më herët, me Agimin, që i njohin problemet, dhe e njohin Ligën e Kosovës, unë do të kam nderin të punoj me të gjithë këta, para se gjithash kam ardhur me një klub që ka traditë, që është themeluar dhe ka kaluar nëpër periudha shumë të vështira prej vitit 1968 e këndej, prandaj ky është motivi im kryesor”, shtoi tutje “Profa”.

Ai ka paralajmëruar ndryshime në ekip, duke zbuluar se disa futbollistë do të largohen, e të tjerë do të sillen në skuadër, kryesisht nga lojtarët e IPKO Superligës së Kosovës.

Por, fokusi i tij do të jetë që të mbështetet në lojtarët kryesorë që i ka në dispozicion.

Sokoli e ka konsideruar Flamurtari një klub me histori dhe traditë. 

(Kosova Sot Online)