Edon Zhegrova mund të fitojë kontratë nga Baseli

  • 17 January 2020 - 11:48
Edon Zhegrova mund të fitojë kontratë nga Baseli

Edon Zhegrova secilën herë e më mirë po i tregon kualitetet e tij në Zvicër, te Baseli.

Futbollisti i ri kosovar të enjten shpërtheu në krahun e djathtë dhe shënoi gol të bukur në fitoren prej 1:0 të Baselit në miqësoren ndaj ekipit rumun, Steaua nga Bukureshti.

Sipas mediave të Zvicrës Zhegrova është shumë afër që t’i bindë drejtuesit e Baselit që t’i ofrojnë kontratë.

20-vjeçari është futbollist i klubit belg, Genkut, prej të cilit është i huazuar te Baseli deri në verën e ardhshme.

Gjiganti zviceran ka kohë deri në muajin maj që ta shfrytëzojë opsionin e blerjes së Zhegrovës nga Genku.

Gazeta e njohur, “Blick” e ka lavdëruar cilësinë e Zhegrovës. Kjo gazetë e ka vlerësuar lartë teknikën e reprezentuesit kosovar, derisa thekson se 20-vjeçari është i paparashikueshëm në sulm.

E metë e tij shihet fakti që nuk e ndihmon repartin defanziv për çka te Baseli po punojnë me të për ta përmirësuar edhe në këtë drejtim.

“Blick” shkruan se Zhegrova në Basel ka afër vetes edhe prindërit e tij, gjë që e konsideron një përparësi për ish futbollistin e Prishtinës. 

(Kosova Sot Online)