Varane zbulon pse lojtarët e Real Madridit ia dhuruan një tullë për Krishtlindje Mendy-t
Raphael Varane ka zbuluar përse ai dhe bashkëlojtarët e tij në Real Madrid ia kishin dhuruar një tullë Ferland Mendy-t për festën e Krishtlindjes.
Mbrojtësi i majtë Mendy iu bashkua Madridit nga Lyoni gjatë verës, dhe pasi fillimisht nuk mundi të lërë mbresa në Bernabeu për shkak të problemeve me lëndime, 24-vjeçari ka nisur ta gjejë veten në formacionin startues para Marcelos.
Mundësitë e tij që të vazhdojë të luajë rregullisht u ndihmuan dukshëm pas suksesit në derbin Madrilen, të cilin Reali e fitoi 1:0 ndaj Atleticos, pasi francezi dha pasimin vendimtar për golin e triumfit që e shënoi Karim Benzema.
Integrimi i tij në skuadër ka shkuar butësisht, pavarësisht dhuratës së pazakontë nga bashkëlojtarët.
“Ne ia dhuruam atë (tullën) sepse në stërvitje ai i godet bashkëlojtarët nganjëherë dhe është shumë i ashpër. Por ai e di se kemi bërë shaka”, tha Varane.
“Ne e dimë se ai është shumë i mirë në mbrojtje dhe fizikisht është i jashtëzakonshëm, gjë që i ndihmon ekipit”, shtoi ai.
(Kosova Sot Online)