Lampard: Maguire duhej të ishte ndëshkuar me të kuq, goli i Rudiger ishte i rregullt

  • 18 February 2020 - 08:22
Lampard: Maguire duhej të ishte ndëshkuar me të kuq, goli i Rudiger ishte i rregullt

Trajneri i Chelseat Frank Lampard e kritikoi teknologjinë VAR të hënën, pasi qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Harry Maguire, nuk u ndëshkua me karton të kuq për një goditje kontroverse të tij ndaj Michy Batshuayit.

Gjatë ndeshjes të së hënës në Stamford Bridge, gjatë kohës sa po luftonte për një top që po dilte jashtë fushës së lojës, Harry Maguire u rrëzua në bar, përderisa Michy Batshuayi ishte duke vrapuar pas tij.

Mbrojtësi i Djajve të Kuq e zgjati këmbën e tij në atë moment, duke e goditur sulmuesin e Chelseat nën bark, menjëherë përpara vendit ku ishin të ulur anëtarët e stafit të trajnerit dhe lojtarët e Chelseat.

Pasi incidenti u rishikua nga VAR-i, Maguire nuk u ndëshkua me karton të kuq për incidentin, pasi që u vlerësua si sjellje jo e dhunshme. Mbrojtësi i Manchester Unitedit më vonë e shënoi golin e dytë në fitoren 2:0 të Djajve të Kuq.

Megjithatë, ky nuk ishte rasti i vetëm kur pati ndërhyrje të VAR-it në ndeshje, pasi që Chelseat iu anuluan dy gola – njëra për pozitë jashtë loje dhe tjera për shkak të një ndërhyrjeje të parregullt gjatë aksionit.

Në konferencën pas ndeshjes, trajneri i Chelseat, Frank Lampard, tha se qendërmbrojtësi anglez nuk duhej as të kishte qenë në fushë për ta shënuar golin e dytë të ndeshjes dhe shtoi se beson se skuadra e tij u dëmtua nga VAR-i gjatë ndeshjes të së hënës.

“Harry Maguire duhej të ishte ndëshkuar me të kuq, kjo është e qartë dhe natyrisht se kjo e ndryshon shumë lojën. Pastaj, goli i Antonio Rudigerit ishte i rregullt sepse Cesar Azpilicuetan e shtynë në Brandon Williams”, ka thënë Lampard.

“Giroud ishte në pozitë jashtë lojë vetëm për një fije floku, mirëpo këtë vendim e kuptoj sepse kështu janë rregullat tani. Nuk e kuptoj se pse s’e përdorin gjyqtarët këtu monitorin përreth fushës. Duhet të fillojë përdorimi i atij monitori”.

(Kosova Sot Online)