Trajneri i Italisë synon triumf në Evropian dhe Botëror

  • 28 February 2020 - 15:20
Trajneri i Italisë synon triumf në Evropian dhe Botëror

Trajneri i ekipit kombëtar të Italisë, Roberto Mancini, ka zbuluar se ai ia ka vendosur vetes qëllim ta fitojë titullin e Kampionatit Evropian dhe atë të Kupës së Botës me “Azzurri-t”.

Ish-trajneri i Interit dhe Manchester Cityt e ka kthyer optimizmin në Itali sa i përket ekipit kombëtar, por ai insiston se nuk ka menduar shumë për të ardhmen përveç për trofetë që dëshiron t’i fitojë.

“Unë nuk kam menduar ende për të ardhmen. Për momentin, qëllimi im është të marrë fitore në Kampionatin Evropian dhe në Kupën e Botës me Italinë”, u shpreh Mancini.

Gian Piero Ventura i dha fund periudhës së tij si trajner i Italisë me dështimin për t’u kualifikuan në Kupën e Botës Rusia 2018. Pas këtij dështimi, Roberto Mancinit iu dha detyra për ta kthyer Italinë në majat e futbollit ndërkombëtar.

“Nuk ishte e lehtë. Ne erdhëm nga dështimi që nuk u kualifikuam në Kupën e Botës, diçka që nuk na kishte ndodhur për aq sa e mbaj unë mend në 50 vjetët e fundit”, shtoi Mancini.

Në fakt, dështimi për t’u kualifikuar në “Rusia 2018” kishte qenë hera e parë që Italia s’kishte arritur të kualifikohej në Kupën e Botës në 60 vjetët e fundit. Por, Mancini e paralajmëroi skuadrën e tij se ata s’kanë bërë ende asgjë.

“Por, ne kemi vendosur t’u japim hapësirë lojtarëve të rinj, të cilët, së bashku me lojtarët me më shumë përvojë, dëshirojnë ta dëshmojnë veten dhe ta kthejnë Italinë aty ku e meriton të jetë”, tha Mancini.

“Italia duhet gjithmonë të luajë për të fituar. Ne arrijmë pas disa paraqitjeve të mira, por Kampionati Evropian është pas katër muajsh dhe unë nuk mendoj se grupi ynë do të jetë aq i thjeshtë sa thonë të tjerët. Ne do të përballemi me disa skuadra të vështira, por duam të jemi optimistë”. 

(Kosova Sot Online)