Lampard, i irrituar nga intervista e fundit e Willian

  • 29 February 2020 - 09:37
Lampard, i irrituar nga intervista e fundit e Willian

rajneri i Chelseat, Frank Lampard, e kritikoi Willian për intervistën e tij të fundit duke thënë se nuk ishte momenti i duhur për t’i thënë ato gjëra, përderisa insistoi se ende nuk është marrë ndonjë vendim për të ardhmen e futbollistit.

31-vjeçari brazilian nuk ka nënshkruar ende kontratë të re me Chelsean, përkundër që klubi londinez ia ka bërë disa oferta. Gjatë verës, ai mund të largohet pa asnjë cent nga Londra, përveç nëse e rinovon tani kontratën me “Të Kaltrit”.

Anësori i Chelseat po kërkon kontratë të paktën trevjeçare, përderisa Chelsea i ka ofruar vetëm t’ia zgjasë kontratën edhe për një vit. Këtë situatë të Willian janë duke e monitoruar disa klube, si Tottenhami i Jose Mourinhos dhe Juventusi.

Arritja e marrëveshjes për transferimin e anësorit Hakim Ziyech nga Ajaxi në Chelsea gjatë verës bën që trajneri Frank Lampard të ketë më shumë opsione për krahët e sulmit për sezonin e ardhshëm dhe i shton dyshimet për të ardhmen e Willian.

Nw njw intervistw tw fundit, Willian zbuloi se atij i është dhënë mundësia të qëndrojë në Stamford Bridge edhe për dy vjet të tjera, mirëpo ai dëshiron kontratë trevjeçare – qëndrim ky që mund ta detyrojë atë të largohet nga Londra nëse drejtuesit e Chelseat s’i ndryshojnë qëndrimet e veta.

“Është një situatë e vështirë sepse Chelsea m’i ka ofruar dy vjet kontratë dhe ata nuk do ta ndryshojnë ofertën e tyre. Unë u kam thënë se i dua edhe tre vjet të tjera” , ka thënë anësori brazilian.

“Situata është vështirësuar për shkak të kësaj. Unë nuk e di nëse do të jetë e mundur që unë të qëndroj. Synimi im është të vazhdoj të punoj dhe të përqendrohem në pjesën e mbetur të sezonit, kështu që Chelsea të mundë të vazhdojë të fitojë ndeshje”.

“Unë e kam mendjen e qartë dhe jam i përqendruar në pjesën e mbetur të sezonit që e kemi. Është e vështirë të them nëse do të qëndroj. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë”.

Lampardit nuk i pëlqeu kjo intervistë e Willian, mirëpo tha se negociatat mes dy palëve po vazhdojnë dhe se ende s’është marrë asnjë vendim për të ardhmen e ndokujt në skuadrën e tij.

“Është një bisedë që po vazhdon ende. Ndoshta nuk ishte momenti ideal, por unë s’dua të përzihem shumë në këtë debat sepse jam trajneri i skuadrës dhe nuk dua të shikoj shumë para vetes”, ka thënë Lampard.

“Disa nga titujt e lajmeve këtë javë më irrituan sepse ne po punojmë ditë pas dite për ta përfunduar këtë sezon dhe nuk jemi duke u gjuajtur drejt e në verë. Situata e Willian është diçka që po vazhdon të negociohet. Nuk ka marrë fund, do ta shohim”

(Kosova Sot Online )