Carragher udhëzon Kloppin: Ja si mposhtet Atletico

  • 11 March 2020 - 13:51
Carragher udhëzon Kloppin: Ja si mposhtet Atletico

Legjenda e Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se skuadra e Liverpoolit duhet ta lëvizë topin shpejt në fushë gjatë përballjes me Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve, pasi që ai pret që skuadra e Diego Simeones të tentojë ta ruajë epërsinë nga ndeshja e parë.

Atletico Madridi arriti të marrë fitore me rezultat 1:0 kundër Liverpoolit në ndeshjen e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, që e nisi një ecuri të dobët për Liverpoolin, i cili i humbi dy nga tri ndeshjet e radhës – kundër Watfordit dhe Chelseat.

Megjithatë, që nga atëherë, Sadio Mane dhe Mohamed Salah iu kthyen golave në fitoren e Premierligës kundër Bournemouthit në Premierligë, duke e vazhduar kështu ecurinë e mirë drejt titullit të kampionit.

Të mërkurën në mbrëmje, djemtë e Klopp do të tentojë ta përmbysin rezultatin nga ndeshja e parë dhe ta marrin një fitore që ua mundëson kualifikimin në çerekfinale, për ta vazhduar ëndrrën e mbrojtjes së titullit të kampionit të Evropës.

Carragher, i cili kishte qenë pjesë e skuadrës së Liverpoolit që e kishte fituar këtë titull në vitin 2005, thotë se ish-klubi i tij duhet të rrezikojë në këtë ndeshje për ta gjetur një hapësirë në mbrojtjen e organizuar të Atleticos.

“Duhet ta lëvizësh topin shpejt në ndeshjet si kjo. Kur e ke mundësinë ta sulmosh Atleticon, duhet ta marrësh seriozisht këtë punë dhe kjo do të thotë se duhet edhe të rrezikosh”, ka thënë Carragher.

“Mund të ndodhë që do ta humbësh topin më shumë sesa normalisht, por e rëndësishme është si reagon ndaj atyre situatave dhe të mos e lejosh Atleticon të organizohet me 11 lojtarë në repartin e mbrojtjes”.

“Atletico nuk do t’i angazhojë shumë lojtarë në sulm, por në rastet e rralla kur ata do t’i kenë dy apo tre lojtarë në sulm, ti duhet të mësosh se si ta shndërrosh shpejt mbrojtjen në sulm”.

“Sapo ta marrë portieri i Liverpoolit topin, ai duhet ta kërkojë shpejt ta gjejë një lojtar për t’ia nisur sulmit pa u organizuar mbrojtja e Atleticos”. 

(Kosova Sot Online)