Zbulohet gjendja e ish-yllit të Ajaxit, që pësoi dëmtim të trurit

  • 27 March 2020 - 10:37
Zbulohet gjendja e ish-yllit të Ajaxit, që pësoi dëmtim të trurit

Familja e Abdelhak Nourit e ka konfirmuar se ylli i Ajaxit është duke u trajtuar tani në shtëpi, pasi pësoi dëmtime permanente në tru. Familja e tij dha lajme të mira për gjendjen e futbollistit, pasi ky i fundit doli nga koma.

Abdelhak Nouri pësoi sulm kardiak gjatë ndeshjes miqësore të Ajaxit kundër Ëerder Bremenit në korrik të vitit 2017, që si pasojë e la me dëmtim të pariparueshëm të trurit.

22-vjeçari doli nga koma një vit pas atij rasti, mirëpo nuk mund të lëvizte apo të komunikonte vetë. Megjithatë, vëllai i tij tani ka zbuluar se ish-ylli i Ajaxit tani arrin të ulet, shikon futboll me pjesën tjetër të familjes dhe përçon emocione, pasi është vendosur në një shtëpi të dizajnuar veçanërisht për të.

“Ai është i vetëdijshëm për vendndodhjen e tij, ai është kthyer në një mjedis familjar me familjen e vet. Ai nuk është më në komë, është thjesht i zgjuar. Ai flen, teshtin, flet, gogësin, por s’mund të ngrihet nga shtati. Ai ende varet shumë nga ne”, ka thënë Abderrahim Nouri.

“Në ditët e mira, e kemi një formë komunikimi, për shembull na konfirmon diçka me vetullat apo buzëqeshjen e tij. Por, ne e vërejmë se kjo nuk zgjat shumë. Ne flasim me të sikur të mos jetë i sëmyrë”.

“E përfshijmë atë në biseda dhe shikojmë futboll bashkë me të në dhomën e ndenjës. Pastaj ai i shikon ndeshjet dhe ne mund ta vërejmë që i pëlqejnë shumë atij. Ai shfaq emocione shpeshherë. Nganjëherë është i mërzitur, nganjëherë buzëqesh”.

Ajaxi ishte detyruar ta pranonte pas ndeshjes se trajtimi mjekësor që e kishte marrë futbollisti në fushën e lojës pas sulmit kishte qenë joadekuat dhe mjeku ishte pushuar nga puna. 

(Kosova Sot Online)