Mario Balotelli: Totti kurrë nuk më kërkoi falje për shkelmin

  • 29 April 2020 - 19:07
Mario Balotelli: Totti kurrë nuk më kërkoi falje për shkelmin

Mario Balotelli ka treguar se Francesco Totti nuk i ka kërkuar falje asnjëherë për goditjen me shkelm që ia kishte dhënë gjatë finales së Kupës së Italisë në vitin 2010.

Interi e mposhti Romën 1:0 për ta fituar Kupën e Italisë në sezonin 2009/10, por takimi u la nën hije nga kartoni i kuq i Tottit, i cili u përjashtua sepse e goditi shkelm Balotellin nga mbrapa.

Por përkundër incidentit, sulmuesi i Brescia këmbëngul se asnjëherë nuk ka pasur probleme me legjendën e Romës, pavarësisht se ai nuk i ka kërkuar falje ende.

“Sikur të kisha diçka kundër tij, do t’ia kisha thënë. Në atë moment e kuptova se unë nuk isha problem. Ai e shkaktoi një faull të keq dhe e mori kartonin e kuq: çfarë duhet t’i them? Në atë ndeshje, ai i vuajti pasojat”, tha Balotelli në Instagram.

“Ai nuk më ka kërkuar falje që prej atëherë. Por unë nuk isha problem; unë nuk isha caku i tij. Ai kishte probleme tjera në atë ndeshje. E mbaj në mend se e përqafova në fund të sezonit. Ai e bëri një gabim dhe pagoi për të”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)