Holyfield sqaron pse është i lumtur që Mike Tyson ia kishte kafshuar veshin

  • 03 qershor 2020 - 15:57
Holyfield sqaron pse është i lumtur që Mike Tyson ia kishte kafshuar veshin

Ish-boksieri Evander Holyfield ka thënë se ai është i lumtur që legjenda e boksit, Mike Tyson, ia kishte kafshuar veshin gjatë përballjes së tyre të famshme në vitin 1997.

Për herë të parë, Mike Tyson dhe Evander Holyfield ishin përballur në vitin 1996, para rimeçit mes tyre një vit më vonë.

Përballja e dytë mes tyre është ndër momentet më të famshme në karrierën e dy boksierëve pasi që Tysoni ia shkoqi një pjesë të veshit Holyfieldit pasi e kafshoi atë.

Megjithatë, Holyfield insistoi se atij nuk i mbetet hatri për atë incident të atij meçi, madje shtoi se ai është i kënaqur që ajo gjë kishte ndodhur.

“Kjo nuk më shqetëson mua. Më shkaktoi paksa dhimbje, por jam i lumtur që ndodhi pasi që ma dha mundësinë të flas se çfarë do të thotë të falësh”, sqaroi Holyfield.

“Nëse dikush hyn në shtëpinë tënde, ti nuk mendon: “Si mund të hyj edhe unë në të tyren?” Ajo që njerëzit nuk e dinë është se Mike është shumë më i njohur sesa që të tjerët mendojnë”.

“Ata mendojnë se ai është i çmendur, por ai është biznesmen tani. Ti nuk mund të jesh personi i njëjtë kur të vjetërsohesh”.

Që të dy ish-boksierët i kanë nxitur spekulimet për një rimeç mes tyre gjatë muajit të fundit, përderisa Tyson ka bërë të ditur se dëshiron të kthehet në ringun e boksit për një meç për bamirësi.

Tyson dhe Holyfield tani raportohet se janë në bisedime për ta zhvilluar meçin e tyre në nëntor të këtij viti, përderisa përballja pritet të zhvillohet diku në Lindjen e Mesme. 

(Kosova Sot Online)