FFK-ja, në përkrahje të çlirimtarëve

  • A.P /
  • 30 qershor 2020 - 14:07
FFK-ja, në përkrahje të çlirimtarëve

Federata e Futbollit të Kosovës ka dalë në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e shprehur mbështetjen e fuqishme për çlirimtarët.

Shtëpia e futbollit kosovar ka reaguar përmes një komunikate pas aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e FFK-së, respektivisht të kryetarit të saj, Agim Ademi:

 

“Lufta e pastër dhe sakrifica e popullit tonë e viteve të 90-ta ditëve të fundit ka marrë goditje të rëndë. Çlirimtarët tanë, në radhët e të cilëve ishin edhe shumë sportistë e sportiste, 21 vjet më parë ia kthyen pushkën regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke e mbrojtur pragun e shtëpisë dhe duke luftuar me devotshmëri për çlirimin e Kosovës dhe për lirinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. UÇK dhe ushtarët e saj zhvilluan luftë të pastër edhe pse nuk ishin të barabartë për nga armatimi me pushtuesin serb. Falë heroizmit e gjakut të luftëtarëve, por edhe mbështetjes së botës së qytetëruar iu dha fund masakrave të regjimit serb mbi popullatën civile shqiptare dhe u arrit shtetësia e vendit tonë, të cilën tash e sa vite po e lartësojnë me suksese të njëpasnjëshme sportistët tanë. Sakrifica e të bërit sport në fusha të improvizuara e të përbaltura është një histori e papërsëritshme, ashtu siç është edhe lufta e drejtë dhe e pastër e popullit tonë. Tani kur sukseset e sportistëve tanë janë mahnitëse dhe gjithnjë e më shumë flamuri i shtetit tonë po pushton arenat ndërkombëtare, madje edhe në vendet që ende nuk na e kanë njohur pavarësinë, ka rifilluar një fushatë e egër kundër simbolit tonë të shenjtë UÇK dhe luftës së drejtë, ku me fakte të fabrikuara në ‘kuzhinën e Beogradit’ po bëhet përpjekje që të njolloset lufta e pastër e popullit të Kosovës për liri. Në këtë periudhë të vështirë për ushtarët dhe drejtuesit e UÇK-së, të cilët po ballafaqohen padrejtësisht me inicime të aktakuzave për krime lufte, Federata e Futbollit e Kosovës dhe i tërë komuniteti i futbollit shpreh fuqishëm mbështetje për të gjithë ata që kanë kontribuuar që ne sot të jemi lirë dhe të jemi pjesë e dy institucioneve më të mëdha të futbollit, FIFA dhe UEFA. #meçlirimtaret. Me respekt, Agim Ademi, president i FFK-së”, shkruan FFK-ja. 

(Kosova Sot Online)