“Spiun dhe budalla” – Kyrgios dhe Becker zihen me fjalë në Twitter

  • E.K /
  • 30 June 2020 - 19:18
 “Spiun dhe budalla” – Kyrgios dhe Becker zihen me fjalë në Twitter

Boris Becker e quajti spiun Nick Kyrgiosin. Kyrgiosi tha se Beckeri është budalla.

Pas tre muajve pothuajse pa asnjë ndeshje tenisi për shkak të koronavirusit dhe në një javë kur Wimbledoni është dashur të niste, duket se të gjithë janë bërë gjaknxehte në botën e tenisit.

Kjo u pa kur legjenda e këtij sporti, Boris Becker dhe tenisti australian Nick Kyrgios u zunë në një luftë fjalësh në Twitter të martën në mëngjes, pasi Becker papritmas e ndjeu veten të ofenduar nga kritikat që Kyrgios ia bëri tenistit Alexander Zverev.

Në fillim të kësaj jave, Kyrgios tha se numri shtatë i botës, Zverev, është vetjak për shkak se bashkatdhetari gjerman i Beckerit u pa duke festuar në një aheng, edhe pse një ditë më herët kishte thënë se do të vetizolohej për shkak të kontaktit të afërt që e kishte me lojtarët e infektuar me koronavirus.

Zverev luajti në turneun e organizuar nga Novak Djokovic gjatë të cilit një numër lojtarësh, përfshirë vetë serbin, dolën pozitiv me koronavirus.

Në një reagim të ashpër në Twitter, Kyrgios tha se Zverev duhet të paktën ta ketë guximin për të qëndruar brenda për 14 ditë.

Dhe kjo nuk i pëlqeu aspak gjashtë herë kampionit grand slam, Beckerit.

Becker: “Mua nuk më pëlqejnë spiunët! Kushdo që e kritikon një sportist apo sportiste nuk është miku im! Shikoje veten në pasqyre dhe mendo se je më i mirë se ne @NickKyrgios”.

Kyrgios: “Lëre Boris, nuk po garoj e as nuk po përpiqem të përfitoj duke i kritikuar të tjerët. Kjo është pandemi botërore dhe nëse dikush është aq idiot sa Alex për të bërë çfarë ka bërë ai, atëherë e kritikoj. Kaq e thjesht është”.

Becker: “Të gjithë ne jetojmë në pandeminë e quajtur Covid-19! Është e tmerrshme dhe ka vrarë shumë njerëz… ne duhet t’i mbrojmë familjet tona dhe më të dashurit tonë dhe duhet t’i ndjekim udhëzimet, por prapëseprapë nuk më pëlqejnë spiunët”.

Kyrgios: “Spiunët? Për shkak se kam kërkuar përgjegjësi nga dikush? E çuditshme ta mendosh këtë kështu, kampion. Unë thjesht po kujdesem për njerëzit. Kur familja ime dhe familjet në gjithë botë e kanë bërë gjënë e duhur me respekt, ndërsa del një patë dhe valëvit me duar poshtë e lartë, atëherë unë do ta hap gojën”.

“@BorisBecker është budalla më i madh seç mendoja. Ai mund ta godasë topin vollei, por nuk është aspak inteligjent, megjithatë”.

(Kosova Sot Online)