Ylli i Interit: Conte na e ka përmbysur zhveshtorën

  • E.K /
  • 14 July 2020 - 20:09
 Ylli i Interit: Conte na e ka përmbysur zhveshtorën

Mbrojtësi i Interit, Danilo D’Ambrosio, ka zbuluar se trajneri Antonio Conte nuk i trajton aspak butësisht futbollistët e vet dhe se bën rrëmujë sa herë që gjërat nuk shkojnë mirë.

Zikaltrit i dhanë fund ecurisë së rezultateve të dobët duke e mundur Torinon 3:1 me rikthim të hënën mbrëma në San Siro.

I pyetur nëse Interi shqetësohej se rezultatet negative do të vazhdonin, mbrojtësi italian nënvizoi se me Conten në stol nuk ka brenga të tilla.

“Asnjëherë nuk jemi shqetësuar, sepse ne e kemi një trajner i cili dëshiron ta rrisë nivelin dhe ne jemi mësuar të dëgjojmë fjalë të parëndësishme që fliten për ne nga jashtë”, tha D’Ambrosio.

Ai u pyet edhe për lajmet se Conte nuk është më i motivuar nga projekti i Interi dhe se dëshiron të largohet.

“Të jem i sinqertë, mënyra sesi na flet ai, duket sikur ai dëshiron të qëndrojë me çdo kusht. Është normale dhe e drejtë që ai kërkon shumë nga ne, sepse ne duhet ta rrisim nivelin”, shtoi ai.

“Në disa ndeshje, ai me të drejtë e ka kthyer mbrapsht zhveshtorën. Kërkesat e tij na bëjnë të përmirësohemi, ai e di si të fitojë dhe ne përpiqemi t’i ndjekim këshillat e tij”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)