Ylli i Ligue 1: E kam dashur gjithmonë Arsenalin

  • E.K /
  • 24 July 2020 - 12:50
Ylli i Ligue 1: E kam dashur gjithmonë Arsenalin

William Saliba ka bërë të ditur se ai gjithmonë ka qenë tifoz i Arsenalit, përderisa mbrojtësi tani pritet t’u bashkohet zyrtarisht Topçinjve, pasi do ta kompletojë periudhën e tij si i huazuar në Saint-Etienne.

Saliba nënshkroi kontratë me Arsenalin në korrik të vitit 2019, përderisa Topçinjtë i shpenzuan 25 milionë funte për ta transferuar adoleshentin francez nga Saint-Etienne.

Megjithatë, si pjesë e marrëveshjes, klubet u pajtuan që Saliba ta kalojë edhe sezonin e ardhshëm në Saint-Etienne, këtë herë si i huazuar nga Arsenali. Gjatë këtij sezoni ai i bëri 12 paraqitje gjithsej në Ligue 1.

Tani që ka përfunduar sezoni i Ligue 1, Saliba ka folur për realizimin e ëndrrës së tij të madhe – të luajë për Arsenalin.

“Unë e kam dashur Arsenalin që nga fillimi. Disa lojtarë francezë kanë luajtur atje. Arsenali nuk ka qenë në nivelin më të lartë në këto tri apo katër vjetët e fundit. Por, njëjtë si Saint-Etienne, logoja, historia dhe tifozët e tyre më kanë shtyrë të më pëlqej klubi”, ka thënë Saliba.

“Unë e dua Arsenalin. Identifikohem me atë të cilën klubi e përfaqëson. Nuk hezitova aspak të transferohesha këtu, jam duke e zbuluar një botë të tjetër”. 

(Kosova Sot Online)