Interi e pranon se Messi do të pensionohet në Barcelonë

  • A.P /
  • 02 gusht 2020 - 11:55
Interi e pranon se Messi do të pensionohet në Barcelonë

Shefi ekzekutiv i Interit, Giuseppe Marotta, i ka hedhur poshtë edhe një herë thashethemet se Lionel Messi do t’i bashkohet gjigantit italian, duke i quajtur ato fantazi dhe duke e pranuar se superylli argjentinas do të pensionohet në Barcelonë sipas të gjitha gjasave.

Pakënaqësitë dhe zemërimi i Messit në Barcelonë muajt e fundit i ka nxitur thashethemet për të ardhmen e tij në Camp Nou, posaçërisht pasi Real Madridi ia rrëmbeu titullin nga dora në La Liga këtë sezon.

Dhe derisa mediat sugjeronin në fillim të verës se atij do t’i bashkohej në Barcelonë bashkatdhetari i vet Lautaro Martinez, tani thuhet se dyshja mund të luajë së bashku në Itali, në fakt.

Marotta, megjithatë, e ka hedhur poshtë çdo mundësi që argjentinasi t’i bashkohet Interit këtë verë, duke thënë se ai dhe Barça përshtatet në mënyrë të përsosur.

“Duhet të jemi real, kjo është fantazi”, tha Marotta pas fitores së Interit 2:0 kundër Atalantas të shtunën në Serie A, një fitore që ia siguroi vendin e dytë skuadrës së Antonio Contes në përfundim të sezonit.

“Të gjithë do ta donin Messin, por do të ishte mungesë respekti ta ushqenim fantazira, sepse e tillë është kjo. Duhet t’i kthehemi realitetit, duke e ditur se Messi është lojtar i madh por është i Barcelonës. Ai është në një mjedis të përsosur. Mendoj se ai do të pensionohet atje”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)