Ballack e do Kloppin në postin e trajnerit të Gjermanisë

  • E.K /
  • 06 August 2020 - 14:50
Ballack e do Kloppin në postin e trajnerit të Gjermanisë

Ish-kapiteni i Kombëtares së Gjermanisë, Michael Ballack, e ka lavdëruar trajnerin aktual të Liverpoolit, Jurgen Kloppin, për të cilin ka thënë se dëshiron ta shohë në pozitën e trajnerit të Gjermanisë.

Jurgen Klopp e ka fituar statusin si njëri ndër trajnerët më të mirë në botë falë sukseseve të tij me Liverpoolin, ku kaloi pas sukseseve në Bundesligë në vitet 2011 dhe 2012 me Borussia Dortmundit.

Reputacioni i tij vetëm sa është përmirësuar në Anfield me kalimin e kohës, pasi ai e fitoi titullin e Ligës së Kampionëve vitin e kaluar e këtë vit arriti t’i japë fund pritjes 30-vjeçare për titullin e kampionit të Anglisë.

Këto suksese të Kloppit i kanë bërë përshtypje ish-mesfushorit të Bayern Munichut dhe Chelseat, i cili në një intervistë të dhënë për Sportbuzzer tha se dëshiron ta shohë Kloppin si trajner të Gjermanisë.

“Është mbresëlënëse se si Kloppi e ka ngritur Liverpoolin në nivelin më të lartë, e pastaj i çoi ata drejt titullit të Ligës së Kampionëve dhe pastaj të Premierligës”, ka thënë Ballack.

“Ai e ka sjell një frymë të re në Liverpool, që i përshtatet klubit. Është një punëtor i madh që gjithmonë e nxjerr më të mirën nga lojtarët e tij. Ai është pa dyshim i jashtëzakonshëm. Për mua, ai është njëri ndër tre trajnerët më të mirë në botë”.

“Pse të mos jetë njëri ndër trajnerët më të mirë në botë kandidat për postin e trajnerit të Kombëtares? Pyetja nuk është se a i ka ai cilësitë e nevojshme, por nëse Kloppi do të donte ta merrte atë post”. 

(Kosova Sot Online)