Silva e lë në pritje Lazion

  • S.A /
  • 14 August 2020 - 16:28
Silva e lë në pritje Lazion

Mesfushori spanjoll David Silva nuk e ka nënshkruar ende kontratën të cilën ia ka ofruar Lazio, pasi që raportohet se po i shqyrton edhe opsionet e tij të tjera, përfshirë këtu një ofertë nga Juventusi.

Përfaqësuesi spanjoll është lojtar i lirë këtë verë pasi që kontrata e tij me Manchester Cityn i përfundon sapo të mbyllet gara në Ligën e Kampionëve, ku tani City e ka arritur çerekfinalen.

Që kur ishte bërë i ditur lajmi se ky sezon do të jetë i fundit për Silvan në Etihad, mediumet italiane kishin raportuar për një marrëveshje mes tij dhe Lazios.

Megjithatë, pas raportimeve të para për një marrëveshje që thuhej se ishte pothuajse e kompletuar, ditët e fundit Corriere dello Sport dhe Gazzetta dello Sport kanë raportuar se negociatat mes dy palëve kanë hasur në pengesa.

Sipas Sportmediaset, kjo gjë ka ndodhur për shkak të interesimit të Juventusit për Silvan, pas emërimit të Andrea Pirlos në postin e trajnerit.

Ndërkohë, Silva e ka ende në tavolinë ofertën e Lazios për kontratë trevjeçare me pagë prej katër milionë eurosh në sezon.

(Kosova Sot Online )