E kuptueshme që Alaba dëshiron të luajë përkrah Messit, thotë Matthaus

  • E.K /
  • 15 September 2020 - 14:58
E kuptueshme që Alaba dëshiron të luajë përkrah Messit, thotë Matthaus

Lothar Matthaus e pranon se do të ishte e kuptueshme nëse David Alaba do ta kërkonte largimin nga Bayern Munich  për të luajtur përkrah Lionel Messit në Barcelonë, por e paralajmëroi atë se nuk duhet ta lejojë paranë t’ia përcaktojë karrierën.

Bisedimet për marrëveshjen e re të 28-vjeçarit me gjigantin gjerman kanë ngecur.

Mbrojtësi i majtë austriak është në vitin e fundit të kontratës në Allianz Arena dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë se do ta vazhdojë të ardhmen në Bayern.

Ish-presidenti i Bayernit, Uli Hoeness, e ka kritikuar ashpër Alaban, duke e quajtur menaxherin e tij peshk lakmitar.

Por Alaba i ka hedhur poshtë thashethemet se po kërkon rrogë të majme për ta vazhduar kontratën.

Ndërsa ish-ylli i Bayernit, Matthaus shpreson se do të arrihet një marrëveshje mes palëve dhe nëse vërtet Alaba vendos të largohet, ta bëjë këtë për arsye sportive e jo financiare.

“David është bërë njëri prej lojtarëve më të rëndësishme në këtë super ekip dhe jam i sigurt që të gjithë në klub duan që ai të qëndrojë”, tha legjenda e Bayernit.

“Nëse David vendos se pas kaq shumë vitesh dëshiron vërtet të përjetojë diçka ndryshe, atëherë është e kuptueshme. Nëse ai dëshiron të luajë për një klub si Reali, ta përjetojë Premierligës javë pas jave apo të prodhojë magji me Messin, atëherë do ta kuptoja”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)