
Nis ndeshja për kreun e Superligës mes Dritës dhe Ballkanit

Ka nisur ndeshja derbi mes Dritës dhe Ballkanit, mes dy skuadrave të vetme në luftë për titull në Superligë.
Kampionia në fuqi Drita do ta marrë kreun e Superligës për herë të parë këtë sezon në përpjekje për ta mbrojtur titullin, nëse e mund Ballkanin sot në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.
Ballkani është lider i ligës me 35 pikë pas 14 ndeshjeve, dy më shumë se Drita që e ndjek nga pas, në atë që duket të jenë një garë për titull vetëm mes këtyre dy klubeve qysh në fillim të sezonit.
Skuadra e Ismet Munishit e kishte fituar 2:0 duelin e parë këtë sezon në Suharekë dhe një barazim sot do të bënte që ta ruajë epërsinë prej dy pikëve.
Për bardheklatrit e Ardian Nuhiut duhen tri pikë për ta arritur kreun.
Të dy skuadrat janë të pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit në ligë dhe janë të vetmet që e kanë pësuar vetëm nga një humbje në 14 ndeshje deri tani.
Derisa Ballkani i ka fituar katër prej pesë ndeshjeve të fundit, Drita është ndalur dy herë me barazim dhe i ka fituar tri ndeshjet e tjera.
(Kosova Sot Online)