Deklarohet Munishi pas humbjes së Ballkanit kundër Dritës

  • A.P /
  • 06 December 2020 - 15:54
Deklarohet Munishi pas humbjes së Ballkanit kundër Dritës

Deklarohet Munishi pas humbjes së Ballkanit kundër Dritës

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka këmbëngulur se u nda i kënaqur me paraqitjen dhe qasjen e futbollistëve të vet, pavarësisht humbjes kundër Dritës në një duel të drejtpërdrejt për kreun e Superligës, por e pranoi se Kastriot Rexha e bëri dallimin me aftësitë e tij në lojën në ajër.

Drita e mundi 2:1 Ballkanin në ndeshjen direkte për vendin e parë në Superligë të dielën në Gjilan, duke e rrëmbyer atë për herë të parë këtë sezon në përpjekje për ta mbrojtur titullin.

Kastriot Rexha me dy gola me kokë në pjesën e parë ia siguroi kampiones në fuqi triumfin kundër liderit së deritanishme në Stadiumin e Qytetit, me golin e Mirlind Dakut që nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen e dytë të Ballkanit këtë sezon.

Ishte një duel i shumëpritur mes dy skuadrave të vetme që deri para takimit e kishin pësuar vetëm nga një humbje dhe vlerësohen si dy të vetmet në garë për titull këtë sezon në ligën elitare kosovare.

Drita është tani lider me 36 pikë pas 15 ndeshjeve, me një epërsi prej një pike ndaj Ballkanit.

Duke folur pas ndeshjes, Munishi u duk i dorëzuar dhe e pranoi humbjen me qetësi.

“Në përgjithësi ishte paraqitje e mirë, e kënaqshme, pa përfshirë dy episode aty ku kemi stërvitur më së shumti (loja në ajër), mund të themi se aty ishim të pakujdesshëm por ishte edhe zotësi e Rexhës”, tha Munishi pas ndeshjes.

“Përndryshe jam shumë i kënaqur me lojën dhe me angazhimin e skuadrës. Kjo ishte ndeshje derbi prandaj nuk mund të themi se çfarë nuk shkoj. Duhej të ishim më të vëmendshëm, kemi lojtarë më përvojë dhe nuk duhet t’i lejojmë ato situata. Jam i kënaqur me skuadrën. Jam i kënaqur me ndeshjen, me referimin, me paraqitjen dhe angazhimin e lojtarëve”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)