
Trajneri i Dritës: E mposhtëm Ballkanin me plot meritë

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se skuadra e tij e meritoi fitoren kundër Ballkanit dhe beson se e lartësoi shpirtin luftarak dhe karakterin e kaltërebardhëve në këtë ndeshjen.
Drita e mundi 2:1 Ballkanin në një duel të drejtpërdrejt për kreun e Superligës të dielën në Gjilan, duke e rrëmbyer atë për herë të parë këtë sezon në përpjekje për ta mbrojtur titullin.
Dallimin e bëri sulmuesi Kastriot Rexha i cili i shënoi dy golat e triumfit në pjesën e parë në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, duke shfaqur mbizotërim të plotë në zonën e skuadrës nga Suhareka.
Kjo është hera e parë që Drita e merr kreun në Superligë dhe është skuadra e vetme që e kishte ndjekur këmba-këmbës Ballkanin në 15 javët e para.
Duke folur pas ndeshjes, Nuhiu i lavdëroi lojtarët e vet për shpirtin luftarak që e treguan përballë skuadrës së Ballkanit.
“Një ndeshje e luftuar shumë nga futbollistët. Shumë dëshirë dhe me shpirtin luftarak të skuadrës erdhëm deri te fitorja. E kishim përballë një kundërshtar të fortë që na vuri në vështirësi, por mendoj që ishim më konkret dhe më të saktë në realizimin e shanseve”, tha Nuhiu.
I pyetur se çfarë e bëri dallimin në këtë takim, ai shtoi: “Mendoj se shpirti i grupit, i futbollistëve, karakteri dhe përvoja e tyre na e fituan lojën dhe mendoj se me shumë meritë e morëm fitoren”.
(Kosova Sot Online)