Interi e mposht Cagliarin me rikthim, pas zhgënjimit në Ligën e Kampionëve

  • A.P /
  • 13 December 2020 - 14:59
Interi e mposht Cagliarin me rikthim, pas zhgënjimit në Ligën e Kampionëve

Interi e ka mposhtur 3:1 Cagliarin, në një ndeshje të Serie A në të cilën iu desh të vuajë dhe ta përmbysë rezultatin, pak ditë pas zhgënjimit të e përjetoi kur u eliminua nga Liga e Kampionëve.

Nicolo Barella, Danilo D’Ambrosio dhe Romelu Lukaku shënuan secili nga një herë në pjesën e dytë për ta kompletuar rikthimin për zikaltrit në Sardegna Arena të dielën.

Interi u eliminua nga Liga e Kampionëve dhe nuk ia doli ta zërë as një vend për Ligën e Evropës, pas barazimit pa gola me Shakhtar Dontest në mesjavë, prandaj i duhej fitorja ndaj Caglitarit për ta rritur moralin në garë për titull në ligë.

Vendasit e tronditën skuadrën e Antonio Contes, e cila e dominoi plotësisht pjesën e parë, kur shënuan për 1:0 në castet e fundit të 45 minutave të parë.

Riccardo Sottile mposhti Samir Handanovicin me gjysmëvollei nga cepi i 16-metershit.

Interi s’e nisi mirë pjesën e dytë, për dallim nga e para kur krijoi shumë por u mohua nga portieri fantastik Cragno, dhe iu desh të vuajë gjatë për ta thyer akullin.

Barella shënoi gol të mrekullueshëm me vollei në minutën e 77-të, para se mbrojtësi anësor D’Ambrosio, i sapofutur në lojë, ta kalonte Interin për herë të parë në epërsi shtatë minuta më vonë.

Lukaku e vulosi fitoren e zikaltërve në castet e fundit të ndeshjes me gol fantastik duke e kaluar gjysmën e fushës me topin para se të shënonte në portën boshe të vendasve.

Interi tani grumbullon 24 pikë në vendin e dytë, vetëm dy më pak se lideri Milan, i cili ndeshjen e kësaj jave e zhvillon sonte.

Cagliari ngel në pozitën e 12-të me vetëm 12 pikë pas 11 ndeshjeve. 

(Kosova Sot Online)