Munishi ankohet në referim: Nuk ka kuptim nëse vazhdojnë padrejtësitë

  • A.P /
  • 13 December 2020 - 16:14
Munishi ankohet në referim: Nuk ka kuptim nëse vazhdojnë padrejtësitë

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, pretendon se gjyqtarët po i bëjnë padrejtësi skuadrës së tij, pas humbjes 2:1 kundër Prishtinës me një penallti kontroverse në minutën e 90-të.

Besnik Krasniqi e shënoi golin e fitores së Prishtinës kundër Ballkanit në çastet e fundit të takimit nga pika e bardhë, duke ia shkaktuar disfatën e dytë në tri ndeshje e fundit skuadrës së Munishit.

Leonit Abazi u tërhoq prej fanellës në zonë nga Arbër Potoku dhe gjyqtari tregoi në pikën e bardhë.

Por sipas Munishit, tërheqja prej fanellës ishte e lehte dhe e pamjaftueshme për të dhënë penallti në çastet e fundit të një ndeshjeje derbi.

I pyetur nëse ishte penallti, Munishi tha: “Jo, nuk ka qenë sepse aty ka pas luftë në 16-sh, minuta e 90 dhe ndeshja derbi. Por ne jemi në Kosovë dhe i njohim gjyqtarët.. por është koha e fundit t’i ndalim këto gjëra sepse edhe vjet na është bërë padrejtësi dhe nëse edhe sivjet vazhdojmë kështu nuk ka kuptim.”

Ai e lavdëroi Prishtinën për lojën e treguar por këmbënguli se penalltia e bëri dallimin.

“Prishtina luajti mirë, komplimente për lojën e saj. Ata i kishin raste e veta ne i kishim tonat, por penalltia e bëri dallimin”, shtoi ai.

I pyetur nëse gjyqtari e vendosi ndeshjen, Munishi e pohoi duke thënë: ”Po, nëse gjyqtari bëhet protagonist, po.” 

(Kosova Sot Online)