Arsenali pëson debaklin e radhës, eliminohet nga Carabao Cup

  • A.P /
  • 22 December 2020 - 23:02
Arsenali pëson debaklin e radhës, eliminohet nga Carabao Cup

Arsenali ka vazhduar me serinë negative të humbjeve. Skuadra e Mikel Artetës është mposhtur sot me rezultat 1-4 në shtëpi të vet nga Manchester City duke u eliminuar nga Carabao Cup në fazën çerekfinale

Nuk ka këndellje për Arsenalin!

Ata sonte janë turpëruar në shtëpi nga Manchester City me rezultat 1-4 në Carabao Cup duke u eliminuar kështu nga kjo garë në fazën çerekfinale.

Goli i parë në këtë ndeshje erdhi në minutën e tretë dhe ishte një gol që e shënoi Gabriel Jesus.

Megjithatë Arsenali u kthye në lojë duke barazuar rezultatin me Alexander Lacazette në minutën e 31-të, me të cilin rezultat dy skuadrat do të shkonin në pushim.

Në pjesën e dytë, ishte Arsenali që e filloi më mirë, por City e mori lojën në kontroll duke shënuar gol në minutën e 54-të.

Ishte një gol i Mahrez ku portieri i ri i Arsenalit i rrëshiti topi nga duart duke pësuar kështu golin e dytë në këtë ndeshje.

Phoden do të shënonte gol në minutën e 59-të, një finalizim të bukur por që doli të jetë gol i shënuar nga pozita jashtëloje, por që në Carabao Cup nuk përdoret VAR.

Goli i fundit u shënua në minutën e 73 dhe atë e realizoi Laporte.

Arsenali nuk di për fitore me skuadra angleze, që nga fitorja kundër Manchester United prej 1-0 në Old Trafford. Që nga ajo kohë ka 7 ndeshje pa fitore. 

(Kosova Sot Online)