
Nuk kemi folur me Ibrën për rinovimin, do të jetë vendim i tij

Milani i gëzohet një viti 2020 fantastik, që u mbyll edhe me kuqezinjtë në krye të renditjes, ndërsa administratori i deleguar i skuadrës, Ivan Gazidis ka folur me superlativa për paraqitjen e ekipit milanez.
Në një intervistë për mediat italiane, Gazidis nuk ka preferuar të vendosë limite apo objektiva, teksa nuk i ka kursyer elozhet për trajnerin Stefano Pioli dhe ka sqaruar të ardhmen e Zlatan Ibrahimovic, që përtej 39 viteve mbi supe, vijon të shfaqet si protagonist sa herë që zbret në fushë.
Ai e ka pranuar se ende nuk është diskutuar për rinovimin, por që në fund do të jetë vendim edhe tij.
Në anën tjetër, Ibra ka dhënë sinjale se ky mund të jetë viti i fundit dhe në verë do t’i varë atletet, edhe më të mundshme e bën këtë nëse Milan rrëmben ndonjë trofe.
“Për rinovimin nuk kemi folur ende me Ibrën, megjithatë do të jetë një vendim edhe i tij, jo vetëm i klubit. Është një person special, me motivim të jashtëzakonshëm dhe me inteligjencë, elementë këto që i japin forcë të madhe në çdo gjë që bën. Provuam ta marrim që në janar të 2019-ës, por refuzoi pasi donte të kontribuonte ende për Los Angeles Galaxy. Ai është një futbollist që rrit gjithë grupin, pasi i fton të gjithë në sfidë për të bërë më mirë dhe deri tani të gjithë shokët e ekipit e kanë pranuar sfidën”, tha numri një i Milanit.
(Kosova Sot Online)