Viti 2020 i shndriti Dritës

  • A.P /
  • 01 January 2021 - 21:14
Viti 2020 i shndriti Dritës

Gjilanasit e siguruan titullin e tretë të kampionit të Kosovës, e dominuan edhe pjesën e parë të edicionit aktual

Viti 2020 i ka shndritur Dritës.

Skuadra gjilanase ka qenë dominuese në Superligën e Kosovës në futboll.

Trupa e Ardian Nuhiut bëri rikthim sensacional në sezonin 2019/2020 duke e përmbysur Ballkanin, i cili ishte lider në një pjesë bukur të madhe të sezonit.

Në fakt, therandasive iu bëri keq pauza e gjatë pas ndërprerjes së futbollit në muajin mars dhe assesi nuk mundën ta merrnin më veten.

Pas pandemisë, Bardhekaltrit ishin ekip i pandalshëm dhe në fund e festuan me meritë titullin e tretë në histori të klubit.

Drita e siguroi titullin e kampionit një xhiro pa përfunduar sezoni, duke e lënë prapa rivalin lokal, Gjilani, derisa Ballkani përfundoi në pozitën e tretë.

Me këtë rast, Xhevdet Shabani me shokë e siguruan edhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, për herë të dytë në histori, pas asaj të vitit 2018.

Drita kishte angazhime në garat evropiane në fillim të edicionit 2020/2021 dhe fillimisht mbeti prapa në tabelë.

Por, pas zhvillimit të ndeshjeve të mbetura dhe rikuperimit të pikëve, “Intelektualët” e rrëmbyen kreun e tabelës.

Me këtë rast, Drita u shpall kampione vjeshtore për këtë sezon dhe me këtë rast do të dimërojë në krye të tabelës në Superligë.

Kjo skuadër i ka 41 pikë, tri më shumë se përcjellësi kryesor, Ballkani.

Drita po shkon me hapa të sigurt drejt titullit të katërt të kampionit, ndërsa i mbetet ta konfirmojë forcën e saj në pranverë, kur garat bëhen shumë më të nxehta.

Fatkeqësisht, shkaku i COVID-19, ndeshjet po zhvillohen pa praninë e shikuesve.

Ndërkohë, as këtë vit nuk munguan as ankesat në gjyqtarë dhe referimi mbetet pika më e dobët e futbollit kosovar. 

(Kosova Sot Online)