Interi e shkatërron 6:2 Crotonen, për fitoren e 8-të radhazi në Serie A

  • A.P /
  • 03 January 2021 - 14:44
Interi e shkatërron 6:2 Crotonen, për fitoren e 8-të radhazi në Serie A

Interi e ka nisur vitin 2021 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke e turpëruar 6:2 Crotonen për ta arritur fitoren e tetë radhazi në Serie A.

Crotone erdhi në San Siro dhe ia futi frikën Interit në pjesën e parë duke ia shënuar dy gola, por u shkel plotësisht nga zikaltrit në 45 minutat e dytë duke i pranuar katër gola të tjerë.

Lautaro Martinez shkëlqeu me het-trik, Romelu Lukaku dhe Achraf Hakimi shënuan nga një herë dhe Marrone shënoi në portën e vet, ndërkohë që vizitorëve s’i mjaftuan aspak golat e Nicollo Zanellatos dhe Vladimir Golemic.

Zikaltrit s’e nisën mirë takimin, pasi i pranuan dy gola të lehtë në paraqitje tejet të dobët nga Arturo Vidal, i cili edhe e shkaktoi penalltinë.

Por vendimi i Contes për ta zëvendësuar atë me Stefano Sensin funksionoi për mrekulli.

Interi tregoi tjetër fytyrë në pjesën e dytë dhe e shkeli plotësisht Crotonen, duke ia shënuar katër gola.

Kjo ishte fitorja e tetë radhazi për skuadrën e Antonio Contes, e cila tani është lidere e Serie A me 36 pikë.

Interi ndiqet nga Milani që ka dy pikë më pak dhe do ta zhvillojë sonte ndeshjen e kësaj jave kundër Beneventos.

Crotone, ndërkohë, ngel në pozitën e parafundit me vetëm nëntë pikë, një më shumë se Torino në fund të renditjes. 

(Kosova Sot Online)