Garat e ardhshme të sportistëve kosovarë për Lojërat Olimpike Tokio 2020

  • A.P /
  • 08 January 2021 - 19:02
Garat e ardhshme të sportistëve kosovarë për Lojërat Olimpike Tokio 2020

Gjashtëmujori i vitit 2021 pritet të përcaktojë numrin e sportistëve që do të përfaqësojnë Kosovën me normë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, të shtyra për një vit shkaku i pandemisë Covid-19.

Lojërat Olimpike Tokio 2020 do të mbahen prej 23 korrik – 8 gusht 2021 në Tokio të Japonisë.

30 qershori është data e fundit për zhvillimin e garave që vlejnë për kualifikim, ndërsa numri i garave në shumë sporte është limituar shkaku i pandemisë.

Deri më tani, ekipi Olimpik i Kosovës numëron gjashtë norma Olimpike, përfshirë pesë të xhudos që ndodhen brenda normës, si dhe një të mundjes të konfirmuar edhe zyrtarisht.

Komiteti Olimpik i Kosovës sjell më poshtë garat e ardhshme, në të cilat pritet të marrin pjesë sportistët tanë.

Kujtojmë që KOK u jep 19 sportistëve elitarë bursa Olimpike Tokio 2020, falë edhe mbështetjes nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Xhudo

Sportistët më të suksesshëm në vendin tonë i pret një orar i ngjeshur i garave, si Grand Slam, Masters, Kampionati Evropian, e së fundi është shtuar edhe Kampionati Botëror. Të gjitha këto gara sjellin pikë Olimpike.

Xhudistët e nisin vitin me garën e Mastersit të Dohas së Katarit, që mbahet prej 11-13 janar. Kjo është njëra ndër garat më të mëdha në sportin e xhudos, pasi të drejtë pjesëmarrje kanë vetëm garuesit e renditur në 30 pozitat më të mira.

Gara e ardhshme e konfirmuar është Kampionati Evropian që mbahet në Lisbon të Portugalisë, prej 16-18 prill. Federata Ndërkombëtare e Xhudos, të enjten ka konfirmuar edhe Botërorin, i cili do të mbahet prej 6-13 qershor në Budapest të Hungarisë.

Krahas tyre, gara tjera të xhudos, janë edhe pesë Grand Slame si: Tel Avivi i Izraelit (18-20 shkurt), Tashkent i Uzbekistanit (5-7 mars), Tbilisi i Gjeorgjisë (26-28 mars), Antalia e Turqisë (1-3 prill) dhe Parisi i Francës (8-9 maj).

Brenda normës Olimpike në sportin e xhudos ndodhen: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova, kurse normën e gjashtë po e kërkon edhe Laura Fazliu.


(Kosova Sot Online)