
Vazhdon zemërimi i Real Madridit, s’mund të kthehet në shtëpi për t’u përgatitur për ndeshjen e kupës

Real Madridi do të detyrohet ta kalojë edhe natën e tretë në Pamplona, në veri të Spanjës, pasi nuk është në gjendje të kthehet në shtëpi në kryeqytetin spanjoll, shkaku të motit të keq.
Zemërimi i Real Madridit është rritur pasi udhëtimi i tyre që nisi të premten për ndeshjen me Osasuën në Pamplona nuk ka mbaruar ende.
Skuadra e Zinedine Zidane duhet të jetë në Malaga të mërkurën për ndeshjen gjysmëfinale në Superkupën e Spanjës kundër Ahtletic Club.
Stuhia “Filomena” e ka bërë të pamundur fluturimin e kampionit të Spanjës drejt Madridit.
Plani i Madridit tani është të udhëtojë të hënën nga Pamplona drejt Malagas, për ndeshjen gjysmëfinale kundër Athletic.
Vendimi për ta zgjatur udhëtimin nuk është pranuar lehtë, pasi drejtuesit e klubit i kanë kaluar 24 orët e fundit duke e studiuar çdo mundësi bashkë me autoritetet, por rikthimi në Madrid ka qenë i pamundur.
Madrilenët do të stërvitin në Malaga për ndeshjen me Athletic.
Por udhëtimi i Real Madridit do të zgjasë edhe më shumë nëse kalon në finale, e cila do të luhet të dielën që vjen në Sevilla.
(Kosova Sot Online)