
Shkëmbimi Dzeko-Sanchez drejt dështimit

Marrëveshja mes Interit dhe Romës për shkëmbimin e bujshëm Sanchez-Dzeko, është drejt dështimit të plotë.
Sipas “Sky Sport”, klubet nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për ta kompletuar këtë shkëmbim.
Mungon marrëveshja ekonomike, një pengesë thelbësore për t’u dhënë shtysë përpjekjeve. Topi tani shkon te Interi, që duhet të propozojë një formulë të re, që do t’u leverdiste të dyja palëve.
Nyja që duhet zgjidhur ka lidhje me pagën e Edin Dzekos, që do të rëndonte më shumë arkat e zikaltërve. Të dy futbollistët fitojnë 7.5 (Dzeko) dhe 7 milionë euro (Sanchez) në sezon, por në bazë të “Dekretit te Rritjes” paga bruto e boshnjakut, që nuk përfiton nga ky dekret, është më e lartë.
Nëse palët nuk afrohen në qëndrime, verdhekuqtë do të tërhiqet nga bisedimet sapo të mbyllet afati i transferimit dimëror dhe do të përpiqen të rregullojnë marrëdhënien mes Dzekos dhe Fonsecas.
(Kosova Sot Online)